Kurti për shkarkimin e Veliut: S’mund të ketë ministra që kundërshtojnë kryeministrin në mesnatë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, edhe njëherë në Kuvend ka treguar arsyet e shkarkimit të Agim Veliut nga pozita e ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike (MPBAP).
Kurti ka thënë se e ka shkarkuar Veliun për ambicie politike, por për shkak deklaratës në mesnatë për shpalljen e gjendjes se jashtëzakonshme.
“Nuk mund të ketë ministra që e kundërshtojnë kryeministrin në mesnatë. Nëse dyshoni se a mund ta udhëheq dialogun me Serbinë, provojeni e pastaj e shohim”, ka thënë Kurti.
Ai ka theksuar se nuk është bërë kryeministër vetëm sa për një karrige.
“Po ta kisha për karrige, me një fjali të vetme kryhet kjo seancë”.
“Edhe në marrëveshjen e koalicionit tonë qeverisës më 2 shkurt 2020 e edhe të programit tonë qeverisës, e keni zëvendësimin e tarifës me reciprocitet”.
“Braktisja e reciprocitetit për heqje të tarifës është shkelje e marrëveshjes. Pra aty është shkelë marrëveshja”.
“Në mbrëmje kur tentohet puçi, e në Këshill të Sigurisë dështon e me dalë në mesnatë kundër Kryeministrit – është e pafalshme”, ka deklaruar Kurti.