Kurti për sulmin në “Trepçë”: S’ka individ as grup më të fuqishëm se shteti
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka dënuar sulmin ndaj ushtruesit të detyrës së kryeshefit të “Trepçës”, Enis Abdurrahmani dhe drejtorit të Administratës, Besim Haxhiu, në zyrat e kësaj ndërmarrjeje.
Po ashtu ai ka paralajmëruar se brenda dy viteve të ardhshme do të ndahen mbi 70 milionë euro për investime kapitale në “Trepçë”.
“Në vjen shumë keq se çfarë ka ndodhur, një sulm i dhunshëm për udhëheqjen, për me këtë rast e dënojmë ashpër sulmin e drejtuar kundër Trepçës. Zotohem si kryeministër se s’do të ketë as individë e as grup më të fuqishëm se shteti. Ata të cilët si individ dhe grupe synojnë të janë më të fuqishëm se shteti, ata bien ndesh me ligjin. Andaj, ushtrues i detyrës së kryesuesit është Enis Abdurrahmani, ai e ka mbështetjen time të plotë bashkë me kryesuesin e Bordit. Ne i ftojmë që të mos bien pre e një Këshilli Grevist, i cili kërkon të tërhiqen deklaratat e dhëna në Polici të Kosovës”, u shpreh ai.
Ai pas takimit me drejtuesit e kësaj ndërmarrje, njofton se brenda muajit shtator ka pasur shtim të prodhimit dhe rritje të performacës.
Në dy vitet në vijim, ne do t’i ndajmë mbi 70 milionë euro për investime kapitale. Me projektin tonë për Fondin Sovran, e kemi vendosur në qendër të zhvillimit ekonomik Trepçën. Kemi nevojë për shtim dhe rifreskim të punëtorëve”, është shprehur ai.
Sipas tij, gjatë periudhës së pandemisë Trepça është ndihmuar me 7 milionë euro.
“Mund të them me faktin që në muajin shtator ka pasur shumë prodhim në Trepçë, kemi nxjerrje të 16 mijë tonë xehe vetëm në Stan Tërg dhe mbi 4 mijë tonë të Kishnicës.Është lajm i mirë për Trepçën se çmimet e metaleve në bursë janë ngritur. Jemi të lumtur kur ishim në qeverisje, e kemi dëshmuar se jemi të interesuar për këtë ndërmarrje. Në kushtet e pandemisë COVID-19, ne i kemi ndarë mbi 7 milionë euro për Trepçën, 2.6 milionë për rimëkëmbjen dhe 2.5 milionë për paga dhe pjesa tjetër për investime kapitale”, u shpreh Kurti.