Kurti për Sylë Tahirsylajn: Kontributi i tij në meteorologji do të mbetet i paharrueshëm
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kujtuar tash të ndjerin profesorin Sylë Tahirsylaj, duke shpërndarë momente nga një takim i tyre para dy vjete, bisedat me të cilin i quajti “mbresëlënëse”.
“Kontributi i tij në fushën e metereologjisë në Kosovë dhe për Universitetin e Prishtinës si akademik, do të mbetet i paharrueshëm. Baca Sylë, ishte një shpirt luftarak, që i rezistoi kohës dhe na mbushte plot energji e pozitivitet”, ka shkruar Kurti në “Facebook”.
Postimi i plotë:
Kullën e familjes Tahirsylaj në fshatin Isniq e vizituam në tetorin e para dy viteve. Bisedat me Prof. Dr. Sylë Tahirsylaj i patëm të gjata e mbresëlënëse.
Kontributi i tij në fushën e metereologjisë në Kosovë dhe për Universitetin e Prishtinës si akademik, do të mbetet i paharrueshëm. Baca Sylë, ishte një shpirt luftarak, që i rezistoi kohës dhe na mbushte plot energji e pozitivitet.
Lajmi për ndarjen e tij nga jeta na pikëlloi thellë. Do ta kujtojmë përherë përkushtimin për punën dhe dashamirësinë e tij.
Ngushëllimet më të sinqerta për familjen Tahirsylaj, për më të dashurin tuaj. Bacën Sylë do ta kujtojmë për jetë e mot!