Kurti për takimin e nesërm në Bruksel: Ta shohim në çfarë gjendje ndodhemi, do të jetë rikapitullim i procesit trevjeçar
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për takimin e nesërm në Bruksel me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.
Kurti ka thënë se beson që përveç tjerash, takimi i nesërm, edhe ai bilateral, por edhe ai trelateral do të jetë në funksion të rekapitullimi të procesit trevjeçar të dialogut.
“Të shohim se në çfarë gjendje ndodhemi dhe cilat janë idetë se si mund të ecët para. Për bindjen time, marrëveshja bazike me Aneksin e Ohrit e bën normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë me njohje së paku de-facto në qendër”.
“Andaj, kjo është zgjidhja evropiane e fqinjësisë së mirë, por që nuk është realizuar deri më sot për shkak se para se të kemi edhe zbatim të marrëveshjes, kemi pasur shkelje sistematike të saj që ka kulmuar me letrën e kryeministres Bërnabiq, ku Serbia u tërhoq nga Marrëveshja Bazike dhe prej aty na vijnë të gjitha problemet. Pra, nga shkelja e Marrëveshjes Bazike vijnë problemet në raportin me Serbinë”, ka thënë Kurti.
Më tutje, Kurti ka përmendur se dje janë bërë 9 muaj prej se është vrarë rreshteri Afrim Bunjaku, teksa ka theksuar se kryekrimineli i paramilitarëve terroristë, Millan Radoiçiq ndodhet në liri.
“Kemi pasur vazhdimisht tensione, nganjëherë edhe eskalime, por që të gjitha e kanë adresën sepse përgjegjësinë e fajësinë në Beogradin zyrtar”, ka thënë kryeministri Kurti.