Kurti për urën e Ibrit: Do t’i vazhdojmë konsultimet dhe koordinimet me partnerët tanë

14 gusht 2024 | 11:04

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të mërkurën se qeveria e tij do t’i vazhdojë konsultimet dhe koordinimet me partnerët e Kosovës në lidhje me rihapjen e urës mbi lumin Ibër në veri.

“Ne do t’i vazhdojmë konsultimet dhe koordinimet me partnerët tanë. Hapja e urës nuk është kundër askujt, veçmas kundër partnerëve ndërkombëtarë”, ka thënë Kurti në mbledhjen e qeverisë.

Rihapja e urës së Ibrit për qarkullim edhe të automjeteve, e cila ndan shqiptarë në jug dhe serbët në veri, është kundërshtuar nga bashkësia ndërkombëtare dhe nga serbët lokalë.

Vendet e Quint-it, ShBA-ja, Britania, Franca, Gjermania dhe Italia, e kanë quajtur të njëanshëm vendimin e Qeverisë së Kurtit për rihapjen në këtë kohë. BE-ja ka bërë thirrje që çështja e urës të diskutohet në dialog me Serbinë.

“Me komandantin e KFOR-it biseduam për hapjen e urës kryesore mbi ibër në Mitrovicë, të cilën ne e konsiderojmë si një gjë të drejtë të nevojshme dhe të dobishme për të gjithë”, ka thënë Kurti, duke iu referuar takimit të djeshëm me Ozkan Ulutas.

Pas takimit të së martës në mes të Kurtit dhe Ulutasit, KFOR-i ka thënë se është thelbësore që të gjithë aktorët të përmbahen nga deklaratat dhe veprimet e njëanshme që mund të krijojnë tensione.

Ushtarët italianë të KFOR-it ndodhen në urën mbi lumin Ibër, ndërsa pjesëtarët e Policisë së Kosovës ndodhen afër saj gjithashtu.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ben Affleck ka pasur një vit të vështirë  dhe burimet…