Kurti për vdekjen e Mirush Kabashit: Do të kujtohet për interpretimet e tij mjeshtërore të poezisë shqipe
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shkruar në “Facebook” pas vdekjes së Mirush Kabashit, duke i shprehur ngushëllime familjes dhe kolegëve të tij.
Kurti ka thënë se Kabashi do të kujtohet “gjatë për interpretimet e tij aq të fuqishme dhe mjeshtërore të poezisë shqipe”.
“Mirush Kabashi ishte ‘Sokrati’ i vërtetë, te ‘Apologjia e vërtetë e Sokratit’ e autorit grek Kostas Varnalis. Mirush Kabashi e solli aq të gjallë Sokratin, madje duke i përngjarë pamjeve të skulpturave antike greke për Sokratin me mjekrrën dhe flokët e shpupurisura si dhe duke i folur me zërin e tij fjalët e atij që foli aq shumë pa shkruar ndonjëherë asnjë fjalë, Sokratit!”, ka shkruar ndër të tjera Kurti.
Postimi i plotë i Kurtit:
Me pikëllim nisi kjo e martë, nga lajmi i mëngjesit të sotëm që në orët e hershme të këtij 5 dhjetori, ka vdekur Mirush Kabashi, aktori i madh shqiptar i teatrit dhe i kinemasë.
Mbi një qind role të luajtura në skena teatrore dhe në sheshxhirime filmash, gjatë një karriere më shumë se gjysmëshekullore të gjatë, tregojnë për aftësitë e larta profesionale të Mirush Kabashit si edhe për shpirtin e fuqishëm artistik të tij prej aktori.
Për brezat që e panë duke luajtur në skenë, Mirush Kabashi do të kujtohet gjatë për interpretimet e tij aq të fuqishme dhe mjeshtërore të poezisë shqipe. Pasi ta keni parë një herë Mirush Kabashin duke e interpretuar poezinë e Fan Nolit “Hymni i flamurit”, sa herë që t’i lexoni vargjet “O flamur gjak, o flamur shkabë…”, do t’iu rikthehet zëri i tij aq i fortë duke e recituar këtë poezi në shumë skena dhe evente.
Mirush Kabashi ishte “Sokrati” i vërtetë, te “Apologjia e vërtetë e Sokratit” e autorit grek Kostas Varnalis. Mirush Kabashi e solli aq të gjallë Sokratin, madje duke i përngjarë pamjeve të skulpturave antike greke për Sokratin me mjekrrën dhe flokët e shpupurisura si dhe duke i folur me zërin e tij fjalët e atij që foli aq shumë pa shkruar ndonjëherë asnjë fjalë, Sokratit!
I lindur më 17 prill 1948 në Shkodër por me origjinë nga Gjakova, ky shpirt artisti nga fisi i Kabashit, iu falë gjithë kulturës e popullit shqiptar nëpërmjet artit të tij dramatik.
Ngushëllime familjes Kabashi, kolegëve të tij të lojës dhe të skenës, mes nderimesh e kujtimesh për mjeshtrin e aktrimit, Mirush Kabashin!