Kurti për votimin e buxhetit 2022: Ky do të jetë buxhet i mirëqenies dhe solidaritetit
Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar në shqyrtim të dytë Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e vitit 2022.
Me këtë rast, kryeministri Albin Kurti ka falënderuar deputetët që votuan buxhetin për vitin 2022.
Ai ka shkruar në “Facebook” se ky do të jetë buxhet i zhvillimit, pasi sipas tij, me 40 milionë euro do të mbështesin prodhuesit vendorë, me 40 milionë euro tjera do të mbështesin ringritjen e ndërmarrjeve publike si Trepça e Telekomi, 70 milionë euro për bujqësinë.
“Kurse për punësimin e garantuar për të rinjtë kemi ndarë edhe 20 milionë euro. Krijimi i vendeve të reja të punës është prioritet i koduar edhe në këtë buxhet. Ky do të jetë buxhet i mirëqenies dhe solidaritetit sepse kemi ndarë 45 milionë euro për shtesat për lehona dhe fëmijë, sepse kemi ndarë edhe 35 milionë euro për t’u siguruar se asnjë pension nuk mbetet nën 100 euro, dhe secilës familje në asistencë sociale shtesa prej 30% i bëhet e përhershme”.
“Ky është buxhet i investimeve sepse me mbi 700 milionë euro do të investojmë në arsim e shëndetësi, kulturë e sport, infrastrukturë e siguri. Na priftë e mbara!”, ka shkruar Kurti.