Kurti për vrasjen në Deçan: Informacionet janë rritur por ende nuk kemi të arrestuar
Tetë ditë pas vrasjes së dy nxënësve dhe një shoferi në Gllogjan të Deçanit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se sasia e informacionit është rritur për shkak të hetimeve të shtuara edhe me hetuesit më të mirë që i ka Republika e Kosovës por ende nuk është identifikuar dhe arrestuar dorasi.
Kurti në konferencë për media tha se ende nuk kanë rezultate lidhur me vrasjen mizore të trefishtë.
“Mua më vjen shumë keq që këtë të premte në darkë u bë një javë që e nuk e kemi të pandehurin të identifikuar e as të arrestuar rrjedhimisht ose të pandehurit. Ishte një vrasje mizore e trefishtë ku një i plagosur apo i lënduar kishte fat dhe sasia e informacionit me sa kam kuptuar nga policia është rritur për shkak të hetimeve të shtuara edhe me hetuesit më të mirë që i ka Republika e Kosovës por ende nuk e kemi rezultatin”, thotë Kurti
Kurti u ndal edhe te rasti në Gjilan, ku është dhunuar një grua dhe vendimi i gjykatës atje, i cili po konsiderohet si skandal. Ai tha se gratë dhe vajzat po vazhdojnë të jenë viktima diskriminuese.
“Rasti i Gjilanit është edhe një dëshmi më shumë se sa e thellë duhet të jetë që reforma në sistemin tonë të drejtësisë. Gratë dhe vajzat fatkeqësisht vazhdojnë të jenë viktima diskriminuese e të cilat kanë gjetur vend edhe aty ku më së paku ku njeriut i a merr mendja të ishin të pranishme në vetë sistemin e drejtësisë. Gjuha e një aktgjykimi të tillë dhe një vendimi të tillë gjyqësorë është e papranueshme dhe unë jam i tronditur me atë lloj gjuhe që është përdorur. Duke mos e ditur rastin konkretisht ne jemi të njoftuar me aq sa mund të lexojmë dhe me atë që kemi lexuar shohim që kemi një gjuhë që vjen nga një mendësi e papranueshme”, ka thënë Kurti.
Po ashtu, kryeministri Kurti njoftoi se sot së bashku me ministren e drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sfeçla, do ta vizitojnë Policinë e Kosovës, konkretisht departamentin për dhunë në familje.