Kurti për Vuçiqin: Kur ai flet, unë nuk ndërhyj, sa herë që flas, ai ankohet
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një intervistë për “Politico.eu” është shprehur se qasja e Serbisë nuk është normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën.
Ky portal ka shkruar se pavarësisht se ndanë të njëjtën tryezë në Bruksel javën e kaluar, dy liderët ballkanikë nuk folën drejtpërdrejt.
“Qasja e Serbisë nuk është normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën. Si mundën t’i thonë po marrëveshjes së Ohrit, por refuzuan ta nënshkruajnë atë”.
“Kur ai flet, unë nuk ndërhyj. Sa herë që flas, ai ankohet”, ka thënë Kurti, për presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.
Ky medium ka shkruar se Kurti ka akuzuar qeverinë serbe për shkeljen e marrëveshjes së tyre “herë pas here” dhe siç thuhet aty, për strehimin e Milan Radoiçiqit.
“Radoiçiqi është i lirë dhe i mbrojtur në Serbi dhe financuar nga Serbia”, ka thënë Kurti.
Kurti ka drejtuar gishtin edhe nga kryediplomati i BE-së, Josep Borrell dhe emisarin për dialog, Miroslav Lajçak.
“Problemi është se Borrelli dhe Lajçaki nuk i bien bilbilit kur ka pasur shkelje. Imagjinoni një arbitër që sillet në një fushë futbolli pa bilbil”, është shprehur Kurti.