Kurti përkujton Agron Rrahmanin në përvjetorin e 24-t të rënies

12 maj 2022 | 17:19

Në përvjetorin e 24-të të rënies së Agron Rrahmanit, kryeministri Albin Kurti ka thënë se Agroni ishte një djalë shumë i çiltër, i shkathët dhe plot gjallëri.

“I mbaruar për aksion, Agroni bëri kapërcimin e madh të jetës së tij në një ditë gushti 1993, kur me qetësi doli nga dritarja e shtëpisë, teksa i la para derës duke pritur policët që kishin shkuar ta arrestonin. Që nga ajo kohë, ai jetoi në ilegalitet të plotë, fillimisht në Tetovë pastaj në Tiranë, ku u takua me Bahriun e Fatmir Humollin dhe bashkë përgatitën 4 numra të revistës ‘Çlirimi’, organit të LKÇK-së. Stema e ‘Çlirimit’ me ato dy duar të bashkuara pranë një pushke me flamur kombëtar në sfond me moton ‘Liri a vdekje’, ishte zgjedhur prej tyre dhe shokëve në Muzeun Kombëtar në Tiranë dhe ishte skicuar me dorë nga Agroni”, ka thënë Kurti, duke shtuar se Agroni kaloi dhjetëra herë kufirin e vendosur nga Serbia mes Shqipërisë dhe Kosovës, duke sjellë armatime dhe materiale ilegale e duke i shpërndarë gjithandej Kosovës si dhe në Maqedoni e Preshevë.

“Agroni dhe Bahriu apo Naseri dhe Gëzimi siç ishin nofkat e tyre, besonin se lufta duhej nisur me aksione guerile nëpër qytete dhe prej andej të kthehej në luftë çlirimtare në krejt Kosovën. Në janar 1997, vetëm tre javë para se të vritej, ata kontaktuan me Zahir Pajazitin për të koordinuar veprimet e tyre ushtarake. Në shkurt 1997, Agroni shkon në Tiranë ku bashkë me ushtarakun e armatës shqiptare Adem Shehun, që më pas do të komandonte Brigadën 153 të UÇK-së, ngritën një qendër stërvitore ushtarake ku nga maji 1997 deri në shkurt 1999, do të përgatiteshin rreth 300 vullnetarë për luftë. Në shkurt 1998, Agroni u bë komandant i njësisë guerile ‘Rexhep Mala’ në Prishtinë, e ndarë në 6 zona aktiviteti”, ka deklaruar Kurti.

Postimi i plotë i Kurtit:

Në përvjetorin e 24-të të rënies së Agron Rrahmanit
Vetëm pesë ditë pas rënies së Bahri Fazliut më 7 maj 1998, vjen rënia e Agron Rrahmanit, më 12 maj 1998. Agroni dhe Bahriu ishin përplotësues për njëri-tjetrin deri në ato përmasa, sa që ata nuk mund të njihen dhe as të kujtohen ndaras. Të dy kishin lindur më 1971 dhe të dy ranë dëshmorë në maj 1998: Bahriu të enjten, Agroni të martën. Të dy u burgosën pas demonstratave të viteve 1989-’90, Bahriu 6 muaj kurse Agroni 2 muaj dhe të dy u njohën si dy të sapodalë nga burgu, ku kishin marrë praktikisht ‘mësimin’ nga regjimi okupator e fashist serb. Ata i bashkoi jeta e tyre e frymëzuar prej idealesh të kulluara patriotike kombëtare, jetë kjo që i mbajti të bashkuar deri në vdekje për po këto ideale.
Fillimisht anëtar i organizatës Fronti i Rezistencës, Agroni u bashkua me shumë shokë për të formuar më 25 maj 1993, Lëvizjen Kombëtare për Çlirimin e Kosovës (LKÇK). Këta dy djem prej Llapi, ishin si dy krahë të një trupi. Gjithë çfarë nuk ishte dhe nuk kishte Bahriu, ishte dhe e kishte Agroni si dhe anasjelltas. Ashtu siç Bahriu ishte koka e mendimit dhe artikulimit politik, Agroni ishte koka e organizimit dhe aksionit gueril dhe ushtarak. Qëllimi ishte i përbashkët: çlirimi i të gjitha tokave shqiptare në Jugosllavi dhe bashkimi i tyre me Shqipërinë.
I lindur në fshatin Balloc më 1971, Agroni ishte një djalë shumë i çiltër, i shkathët dhe plot gjallëri. I mbaruar për aksion, Agroni bëri kapërcimin e madh të jetës së tij në një ditë gushti 1993, kur me qetësi doli nga dritarja e shtëpisë, teksa i la para derës duke pritur policët që kishin shkuar ta arrestonin. Që nga ajo kohë, ai jetoi në ilegalitet të plotë, fillimisht në Tetovë pastaj në Tiranë, ku u takua me Bahriun e Fatmir Humollin dhe bashkë përgatitën 4 numra të revistës “Çlirimi”, organit të LKÇK-së. Stema e “Çlirimit” me ato dy duar të bashkuara pranë një pushke me flamur kombëtar në sfond me moton “Liri a vdekje”, ishte zgjedhur prej tyre dhe shokëve në Muzeun Kombëtar në Tiranë dhe ishte skicuar me dorë nga Agroni.
Ai e kaloi dhjetëra herë kufirin e vendosur nga Serbia mes Shqipërisë dhe Kosovës, duke sjellë armatime dhe materiale ilegale e duke i shpërndarë gjithandej Kosovës si dhe në Maqedoni e Preshevë. Agroni dhe Bahriu apo Naseri dhe Gëzimi siç ishin nofkat e tyre, besonin se lufta duhej nisur me aksione guerile nëpër qytete dhe prej andej të kthehej në luftë çlirimtare në krejt Kosovën. Në janar 1997, vetëm tre javë para se të vritej, ata kontaktuan me Zahir Pajazitin për të koordinuar veprimet e tyre ushtarake. Në shkurt 1997, Agroni shkon në Tiranë ku bashkë me ushtarakun e armatës shqiptare Adem Shehun, që më pas do të komandonte Brigadën 153 të UÇK-së, ngritën një qendër stërvitore ushtarake ku nga maji 1997 deri në shkurt 1999, do të përgatiteshin rreth 300 vullnetarë për luftë. Në shkurt 1998, Agroni u bë komandant i njësisë guerile “Rexhep Mala” në Prishtinë, e ndarë në 6 zona aktiviteti.
Më 11 maj1998, LKÇK-ja dhe UÇK-ja arritën marrëveshje për luftë të përbashkët kundër Serbisë pushtuese në Kosovë. Të nesërmen, më 12 maj 1998, Agron Rrahmani – Naseri dhe Fatmir Humolli – Baci, u pikasën nga policia serbe në një shtëpi ku po qëndronin ilegalisht në Lagjen e Muhaxherëve në Prishtinë. Ashtu siç disa ditë përpara ua kishte lënë forcave serbe për mesazh një plumb mbi tavolinë në një bazë tjetër, Agroni, i cili asnjëherë nuk e hapte derën pa futur plumbin në tytën e revoles së tij 15-she, u konfrontua me policët. Pasi nuk arritën ta arrestonin, ata shtinë në Agronin duke e plagosur rëndë, teksa nga mbrapa tij, Fatmir Humolli shtiu në policë teksa edhe ai u plagos. Pasi u hodhi edhe një bombë policëve serbë, me katër plumba në krah dhe gjoks, Fatmir Humolli e tërhoqi Agronin e plagosur që ndërkohë vdiq. Pasi e strehoi trupin e Agronit në një kopsht vetëm disa shtëpi më tutje, Fatmiri i plagosur me 4 plumba, i shpëtuar nga kapota e shiut që ia kishte bllokuar gjakun në mëngë, u arratis për të shpëtuar dhe për të na rrëfyer këtë histori heroike bashkë me plumbat në trup deri sot në Kuvendin e Kosovës, si deputet i Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Nistoret e emrave të Bahri Fazliut, Ilir Konushevcit dhe Agron Rrahmanit, që ishin vrarë më 7 maj, 9 maj dhe 12 maj 1998, u bashkuan për ta pagëzuar guerilen e Prishtinës: BIA-n (Bahri-Ilir-Agron).
Lavdi dëshmorit të kombit Agron Rrahmani, si dhe dëshmorëve Bahri Fazliu, Fahri Fazliu, Afrim Zhitia dhe Ilir Konushevci, e të gjithë të rënëve për lirinë e Kosovës!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Me turneun final të Kupës përfundon edicioni 2021/2022 i garave…