
Kurti përkujton betejat e 9 prillit në Kaçanik: Sakrifica e dëshmorëve është themelet e lirisë sonë
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka përkujtuar betejat heroike të 9 prillit 1999 në Kaçanik, ku dhjetëra luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe civilë të pafajshëm humbën jetën si pasojë e ofensivës brutale të forcave serbe.
Në mëngjesin e atij prilli, Kaçaniku ishte i rrethuar nga forcat ushtarake dhe policore të Serbisë, të cilat kishin nisur sulme të ashpra kundër popullatës civile, duke e granatuar qytetin nga të gjitha drejtimet.
Në betejat e zhvilluara në Lagjen e Re dhe në Rakoc, ranë heroikisht 28 dëshmorë të UÇK-së, ndërsa 32 civilë u vranë nga forcat pushtuese.
Gjatë homazheve te varret e dëshmorëve në Lagjen e Re, në Rakoc dhe në Kompleksin Memorial të Kaçanikut, Kurti theksoi rëndësinë e përkujtimit të tyre si një akt i domosdoshëm për të nderuar sakrificën dhe për të kujtuar vlerat mbi të cilat është ndërtuar liria e Kosovës.
“Vijmë këtu jo vetëm për t’i nderuar dëshmorët, por edhe për të kujtuar sa e lartë ishte sakrifica e tyre, sa e lavdishme ishte lufta e UÇK-së dhe sa i madh është çmimi i lirisë që e gëzojmë sot”, u shpreh Kurti.
Ai rikujtoi gjithashtu se muaji prill është muaj i përkujtimit të viktimave të masakrave dhe krimeve të kryera nga Serbia gjatë luftës në Kosovë. Me dhimbje dhe nderim u përmendën civilët e vrarë dhe të zhdukur me dhunë në shumë vendbanime gjatë javës së parë të prillit 1999, përfshirë Rezallën e Drenicës, Lybeniqin e Pejës, Çabratin e Gjakovës, Fushë Kosovën, Sopin e Suharekës, dhe shumë të tjera.
Kurti theksoi se krimet e kryera nga Serbia nuk ishin të rastësishme, por pjesë e një projekti politik e hegjemonist për spastrimin etnik të shqiptarëve dhe ndërtimin e një “Serbie të Madhe”.
“Përballë një gjenocidi dhe brutaliteti të tillë, përgjigjja jonë duhet të jetë vendosja e drejtësisë si një detyrim moral dhe universal për çdo viktimë, si dhe forcimi i shtetit tonë – sa më shumë, sa më shpejt, me gjithë çka mundemi dhe dimë”, tha Kurti.