Kurti përkujton deklaratën famëkeqe të Vuçiqit për myslimanët e Bosnjës
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosjes, Albin Kurti ka përkujtuar sot deklaratën famëkeqe të presidentit aktual të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kundër boshnjakëve.
Në profilin e tij në “Facebook”, Kurti ka shkruar se të hënën janë bërë 25 vjet prej se Vuçiq kishte thënë: “Ju bombardoni, vrisni një serb e ne do të vrasim 100 myslimanë”.
Postimi i plotë u Kurtit:
Sot, më 20 korrik 2020, bëhen 25 vjet nga deklarata famëkeqe e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, atëbotë deputet i partisë së Sheshelit: “Ju bombardoni, vrisni një serb e ne do të vrasim 100 myslimanë. E ta shohim pastaj se a guxon bashkësia ndërkombëtare apo kushdo tjetër të godasë mbi pozicionet serbe, a mund të sillen ashtu me popullin serb.” Videoja 14 sekondëshe e kësaj pjese të fjalimit: https://www.youtube.com/watch…
Ndërkaq në videon tjetër gjashtë minutëshe shihet njësiti serb ‘Shkorpionët’, pjesëtarët e të cilit pushkatojnë në Srebrenicë boshnjakë civilë, të mitur e me duar të lidhura pas shpinës. Kjo ngjan nëntë ditë para deklaratës së lartëpërmendur të Vuçiqit në Kuvendin e Serbisë. Pra, vriten jo 100, por mbi 8.000 myslimanë, më 10 dhe 11 korrik 1995, e nëntë ditë më vonë Vuçiqi bëri atë deklaratë. Më 23 maj 2005, znj. Natasha Kandiq ia ka dhënë prokurorisë për krime lufte në Serbi dhe asaj në Hagë këtë video. (Videon e dytë nuk bën ta shohin fëmijët si dhe njerëzit e tejndjeshëm): https://www.youtube.com/watch?v=Gk5xOM7ECwI&feature=youtu.be
Gati katër vjet më vonë, më 28 mars 1999, i njëjti njësit serb ‘Shkorpionët’ do të pushkatojë familjet Bogujevci dhe Duriqi në Podujevë.
(M.K / Epoka e re)