Kurti përkujton masakrën në Studime, kërkon drejtësi për viktimat
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje (LV), Albin Kurti, ka kërkuar drejtësi për viktimat e masakrës në Studime të Vushtrrisë.
Ai ka thënë se edhe pas dy dekadave nuk ka drejtësi për viktimat e kësaj masakre si dhe nuk ka dënim për kriminelët.
“20 vjet më vonë nuk ka drejtësi për viktimat, nuk ka dënim për kriminelët, nuk ka as prehje e kompensim për familjarët e mbetur, nuk ka as pendesë e kërkimfalje nga pushteti në Beograd ku mbeten të njëjtit”, ka shkruar Kurti në llogarinë e vet në “Facebook”.
Postimi i plotë i tij:
Bastisje, plaçkitje, ekzekutim. 116 shqiptarë vriten për dy orë. Çdo minut dikush vdiste në Studime të Vushtrrisë më 2 maj 1999. Burra e gra, pleq e fëmijë. Nga Azemine Vërsheci, 71 vjeçare, e Bejtë Ferizi, 84 vjeçar, deri te Mexhit S. Gërgjaliu, 11 vjeç.
Operacioni i madh “Patkoi” me të cilin Kosova po spastrohej nga shqiptarët, përbëhej nga shumë ‘patkojë’ të vegjël, e një i tillë ishte edhe ky në Vushtrri. Fshatrat viheshin nën rrethim, njerëzit dëboheshin nga shtëpitë e tyre, ua merrnin gjësendet me vlerë, sidomos paratë e kursimeve dhe arin e nuseve, dhe i drejtonin për Shqipëri, për t’ua prerë rrugën pas pak eskadronet policore dhe militare që i pushkatonin këta refugjatë.
20 vjet më vonë nuk ka drejtësi për viktimat, nuk ka dënim për kriminelët, nuk ka as prehje e kompensim për familjarët e mbetur, nuk ka as pendesë e kërkimfalje nga pushteti në Beograd ku mbeten të njëjtit.
Sigurisht që nuk duhet të ketë paragjykime për serbët, por sigurisht që duhet të ketë gjykime për kriminelët serbë. Që plagët e të mbijetuarve të shërohen, që brezit të ardhshëm të mos i bartet trauma, që ardhmëria të jetë e sigurt për të gjithë.
/Epoka e re/