Kurti përkujton masakrën nga forcat serbe në Suharekë dhe Krushë të Madhe e të Vogël
Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka shkruar sot në 25-vjetorin e masakrës nga forcat serbe në Suharekë dhe Krushë të Madhe e të Vogël, ndërsa thekson se në pranverën e vitit 1999, Serbia po realizonte planin gjenocidal “Patkoi” për shfarosjen e popullsisë shqiptare vendase në Kosovë.
“Në pranverën e vitit 1999, Serbia po realizonte planin gjenocidal “Patkoi” për shfarosjen e popullsisë shqiptare vendase në Kosovë. Në paraditën e 26 marsit, forcat e Serbisë sulmuan fshatrat Krushë e Madhe dhe Krushë e Vogël. I detyruan gratë dhe fëmijët të largoheshin për në Shqipëri. Burrat dhe djemtë i ndaluan. Ua konfiskuan letërnjoftimet dhe artikujt me vlerë. Pastaj hapën zjarr me mitraloz mbi ta. Të shtënat zgjatën disa minuta”, ka shkruar Kurti në “Facebook”.
Kurti në të njëjtin postim ka shkruar edhe për masakrën në Padalishtë të Skenderajt, vrasjet në Landovicë të Prizrenit e në Gjakovë.