Kurti përkujton të vrarët e luftës në Gjakovë: Krimet e Serbisë s’mund të zhduken e as të harrohen
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar të vrarët në Gjakovë gjatë 1 dhe 2 prillit të vitit 1999.
“Në natën mes 1 dhe 2 prillit 1999, në Lagjen e parë në Gjakovë, forcat serbe masakruan e vranë mbi 60 civilë shqiptarë. Në shtëpitë e tyre, i dogjën të gjallë e të vdekur anëtarët e familjeve Vejsa, Hoxha, Haxhiavdija, Caka, Gashi dhe Nuçi. Mosha e të vrarëve ishte nga 2 deri në 75 vjeç”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Kurti citoi edhe një fragment nga Human Right Watch të një dëshmitari.
“Kufomat në shtëpinë e Vejsave ishin krejt të karbonizuara. Unë shkova të merrja batanije në spital, por ata nuk kishin më shumë se një copë. Nëntëmbëdhjetë trupa të karbonizuar u mbështollën me një batanije. U varrosën në tre varre”, citohet një dëshmitar nga Human Rights Watch”, ka shtuar Kurti.
Kurti shtoi se krimet e luftës, gjenocidi e krimet kundër njerëzimit nuk janë të kaluara derisa dikush nuk merr përgjegjësi e dënim për to.
“Krimet e Serbisë në Kosovë nuk mund të zhduken e as të harrohen. Ne i përkujtojmë në secilin përvjetor për të mos i harruar kurrë. Sot përkujtojmë të vrarët në Gjakovë. Qoftë i përjetshëm kujtimi për ta”, ka përfunduar Kurti.