Kurti: Përkushtimi i qeverisë ndaj ndërmarrësve dhe industrisë ka qenë thelbësor gjatë qeverisjes sonë

06 prill 2024 | 13:03

Kryeministri Albin Kurti ka theksuar se përkushtimi i qeverisë ndaj ndërmarrësve në vend dhe industrisë ka qenë thelbësor përgjatë gjithë qeverisjes së LV-së.

“I dhamë mbështetje në rritjen e konkurrencës 499 bizneseve me potencial eksporti, përmes skemave të granteve për avancim të teknologjisë, standardizim e certifikim, trajnim dhe digjitalizim, në vlerë totale të granteve prej 15.2 milionë euro. Përmes mbështetjes prej 33 milionë euro për Fondin Kosovar për Grananci Kreditore, janë garantuar mbi 1,000 kredi për afër 1,000 biznese në vlerën prej 67 milionë euro. Përfituesit kryesorë kanë qenë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në sektorët industrial me potencial eksporti. Gjithashtu në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, masës 2.1 për subvencionimin e kredive investuese, kemi mbështetur me 12.4 milionë euro gjithsej 450 biznese. Bizneset i kemi përkrahur edhe në ndërkombëtarizimin dhe promovimin e produkteve dhe shërbimeve të tyre. Me mbështetjen tonë 250 biznese kanë marrë pjesë në 41 panaire ndërkombëtare”, ka shkruar Kurti në “Facebook”.

Për të lehtësuar barrën administrative dhe financiare të bizneseve, Kurti ka theksuar kanë digjitalizuar shërbime dhe thjeshtëzuar procedura si dhe kanë ulur dukshëm tarifat për leje dhe licenca.

Postimi i plotë i Kurtit:

Përkushtimi ynë ndaj ndërmarrësve tanë dhe industrisë ka qenë thelbësor përgjatë gjithë qeverisjes sonë.

I dhamë mbështetje në rritjen e konkurrencës 499 bizneseve me potencial eksporti, përmes skemave të granteve për avancim të teknologjisë, standardizim e certifikim, trajnim dhe digjitalizim, në vlerë totale të granteve prej 15.2 milionë euro. Përmes mbështetjes prej 33 milionë euro për Fondin Kosovar për Grananci Kreditore, janë garantuar mbi 1,000 kredi për afër 1,000 biznese në vlerën prej 67 milionë euro. Përfituesit kryesorë kanë qenë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në sektorët industrial me potencial eksporti. Gjithashtu në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, masës 2.1 për subvencionimin e kredive investuese, kemi mbështetur me 12.4 milionë euro gjithsej 450 biznese. Bizneset i kemi përkrahur edhe në ndërkombëtarizimin dhe promovimin e produkteve dhe shërbimeve të tyre. Me mbështetjen tonë 250 biznese kanë marrë pjesë në 41 panaire ndërkombëtare.

U bëmë pjesë e njërit prej programeve më të mëdha të BE-së, programit “Tregu i Përbashkët”, në vlerë prej 4.2 miliardë euro. Ky program parasheh mbështetje të bizneseve dhe organizatave, gjatë periudhës 2021-2027. Synimi i tij është fuqizimi i mbikëqyrjes së tregut të brendshëm, përmirësimi i konkurrueshmërisë së industrisë, në veçanti të ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme, mbrojtja e konsumatorit, përfshirë këtu siguria e ushqimit, përmirësimi i statistikave dhe përmirësimi i sektorit financiar.

Përveç lansimit dhe finalizimit të negociatave 18 muajshe të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë, për tregtinë e mallrave me shtetet e EFTA-s (Zvicra, Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Islanda), arritëm të përfshijmë tani edhe negociatat për tregtinë e shërbimeve, një e arritur e madhe për ekonominë dhe vendin tonë.

Për të lehtësuar barrën administrative dhe financiare të bizneseve kemi digjitalizuar shërbime dhe thjeshtëzuar procedura si dhe kemi ulur dukshëm tarifat për leje dhe licenca. Është krijuar Pika e Vetme e Kontaktit për Shërbime në platformën e-Kosova, ndërkohë që kemi digjitalizuar shërbime në sektorin e auditimit. Kohëzgjatja për lejet dhe licencat për produkte të naftës dhe duhanit, është zgjatur nga 2 në 6 vjet. Tarifat për tregti me produkte të naftës janë ulur nga 500 deri në 5,000 sa ishin më parë, në 50 euro për të gjitha llojet e lejeve. Njësoj kemi ulur edhe tarifat për tregti me produkte të duhanit. Nga 3,000 deri në 20,000 euro sa ishin, në 55 euro për të gjitha llojet.

Me investimet kapitale prej 1.3 milion euro finalizuam ndërtimet dhe sollëm në funksion parqet industriale në Viti, Vushtrri, Suharekë dhe inkubatorin e biznesit në Malishevë. Ndërsa me investimet kapitale prej 5.2 milionë euro po vazhdojmë ndërtimet për funksionalizim të parqeve industriale në Lipjan, Rahovec, dhe fillimin e ndërtimit të Parkut Industrial në Mitrovicë. Për më shumë hapësirë për kreativitet dhe inovacion për të rinjtë dhe kompanitë e reja, kemi mbështetur me 8 milionë euro Parkun e Inovacionit dhe Trajnimit (ITP) në Prizren dhe e dhamë në shfrytëzim për 5 vjet Inkubatorin e Biznesit “Tech Park” në Prishtinë.

Me prioritet të lartë i sollëm reformat e shumëpritura në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA). Plotësuam zbrazëtirat në kornizën legjislative në përmirësimin e ambientit për të bërit biznes, nxitjen dhe mbrojtjen e investimeve, mbrojtjen e konkurrencës, reformën në mbikëqyrjen e tregut, mbrojtjen e konsumatorit, fuqizimin e mbrojtjes së pronësisë industriale, dhe turizmin e qëndrueshëm – duke miratuar 19 ligje dhe 39 akte nënligjore në harmoni me parimet e standardet ndërkombëtare dhe direktivat e BE-së.

Raporti i Progresit për Vendin për vitin 2023, në veçanti vlerësoi si progres të dukshëm plotësimin e kornizës legjislative, të hartuara nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë. Po ashtu vuri në pah përmirësimin e dukshëm të mbikëqyrjes së tregut – numri i inspektimeve nga Inspektoriati Qendror i Tregut është për 63% më i lartë se në vitin 2019 – si dhe rritjen e përformancës së Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë.

Duke pasur një vizion të qartë për të transformuar industrinë e Kosovës në një industri të integruar globalisht e cila është në gjendje të prodhojë produkte me vlerë të lartë të shtuar dhe të ofrojë punësim të denjë, hartuam dhe miratuam për herë të parë Politikën Industriale 2030, që tani është në zbatim.

Gjatë mandatit qeverisës hartuam dhe miratuam edhe Ligjin për Turizmin dhe 4 akte nënligjore për rregullimin e shërbimeve të turizmit. Për herë të parë vendi ynë ka kornizë ligjore për veprimtaritë e udhërrëfyesve turistik, veprimtaritë e agjencive të udhëtimit, shërbimet turistike të turizmit aktiv dhe aventuror dhe regjistrin e Turizmit së bashku me platformën digjitale.

E vendi ynë gjatë tri vjetëve të fundit është bërë gjithnjë e më e tërheqës si destinacion turistik. Trendi i numrit të turistëve ka shënuar rritje nga viti në vit. Numri i netëve të qëndrimeve të vizitorëve vendorë dhe të jashtëm në vitin 2022 shënoi rritje prej rreth 44%. Kurse në vitin 2023, numri netëve të qëndrimeve është rritur prej 86% në krahasim me vitin paraprak – rreth 50 % e tyre janë nga vizitorë ndërkombëtarë. Trendi pozitiv në turizëm u vërtetua në fillim të këtij viti, kur numri i vizitorëve në muajin janar ishte për 50% më i lartë se në të njëjtin muaj vitin të kaluar. Me fjalët e revistës së mirënjohur, National Geographic që të enjten i kushtoi një artikull potencialit turistik të vendit tonë, “Kosova është vendi i skenës më të re të aventurës në kontinentin e Evropës”.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kompania “Millennium Team”, për të cilën dyshojnë burime të gazetës…