Kurti përmend katër ligje që i miratoi Kuvendi, thotë se janë rezultat i punës së pandërprerë
Kryeministri Albin Kurti ka treguar për rëndësinë e disa ligjeve që Kuvendin i Kosovës i ka miratuar se seancat që i ka mbajtur gjatë ditës se enjte.
Ai ka bërë me dije Ligji për Banim Social dhe të Përballueshëm, Ligji për Sigurimin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor dhe Ligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, si dhe Ligji Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030 janë ligje shumë ët rëndësishme për Kosovën.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka treguar se pse janë të rëndësishme këto ligje.
“Ndër të tjera, Kuvendi miratoi sot katër ligje jashtëzakonisht të rëndësishme: Për Banim Social dhe të Përballueshëm; Për Sigurimin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor; Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme; dhe Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030. Me këto ligje do ta bëjmë banimin dhe shëndetësinë publike të dinjitetshme, të qasshme dhe të përballueshme për të gjithë, pasurinë e pajustifikueshme do t’ia kthejmë shtetit, dhe si mikpritës të ngjarjes më të madhe sportive në histori vendin do ta bëjmë me infrastrukturën sportive më të mirën në rajon”, ka shkruar ai, duke dhënë detaje të tjera.
“Ato janë rezultat i punës së pandërprerë dhe insistuese gjatë këtyre katër vjetëve dhe paraqesin themelet e mandatit tonë të ardhshëm. Falënderoj deputetët e Kuvendit për mbështetjen me votë dhe kontributin deri në finalizimin e tyre”, ka vlerësuar kryeministri.