Kurti përsërit kërkesën që Greqia të njoh Kosovën
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përsëritur kërkesën që Greqia t’u bashkohet vendeve të BE-së që e kanë njohur Kosovën.
Në ditën e dytë të edicionit të 25-të të tryezës së organizuar nga magazina prestigjioze britanike “The Economist”, në bashkëpunim me qeverinë greke, Kurti ka thënë se njohja e Kosovës nga Greqi, bashkëpunimi në rajon dhe përfshirja sa më e shpejtë e rajonit në Bashkimin Evropian, është rruga e duhur drejt paqes, stabilitetit dhe sigurisë afatgjate.
Në panelin e diskutimit me temë “Evropa Juglindore: Rritja e Bashkëpunimit dhe Solidariteti”, kryeministri Kurti ka deklaruar se 22 nga 27 shtete anëtare të BE-së tashmë e kanë njohur Republikën e Kosovës sikurse.
Gjatë fjalës së tij, kryeministri Kurti ka folur për menaxhimin e pandemisë gjatë dy qeverive të udhëhequra nga ai.
“Në Qeverinë Kurti 1, Kosova ishte vlerësuar si një nga vendet me menaxhimin më të suksesshëm të pandemisë, kurse brenda 100 ditëve të qeverisë aktuale, numri i rasteve aktive ka rënë nga 13 mijë në 170 sosh, teksa rastet e hospitalizuar kanë rënë nga 750 në 25. Brenda 66 ditëve të para të qeverisjes u arrit marrëveshja me kompaninë Pfizer për blerjen e 1.2 milionë vaksinave, kurse brenda 100 ditëve u siguruan në total mbi 2 milionë doza të vaksinave”, ka thënë ai, sipas njoftimit të Qeverisë.
Kryeministri ka deklaruar se Kosova është i vetmi vend në rajon që nuk ka pranuar vaksina nga Rusia ose Kina. “Kultura e re që kemi sjellë me qeverisjen e mirë, ku korrupsioni nuk do të tolerohet, tashmë po aplikohet në praktikë. Ne duam të vazhdojmë me procesin e vettingut, që do ta bëjë më aktive prokurorinë tonë dhe më efikase gjyqësinë tonë”, ka deklaruar Kurti.
Kryeministri Kurti ka folur edhe për bashkëpunimin rajonal dhe integrimin ekonomik të Ballkanit Perëndimor.