Kurti përshkruan si ndodhi dhe qëllimin e sulmit të dytë ndaj familjes Jashari
Në 25 vjetorin e sulmit të dytë ndaj familjes së Jasharajve në Prekaz, kryeministri Albin Kurti ka përshkruar ngjarjen dhe qëllimin e tij.
Kurti ka shkruar se qëllimi kryesor ishte vrasja e heronjve Adem e Hamëz Jashari por pa u kursyer familjarët e tjerë.
Kurti ka potencuar se një ditë përpara sulmit, aktin e ndjeu Hamëz Jashari.
“Siç ka rrëfyer ai, natën që i parapriu sulmit, Hamza i kishte thënë : “Unë e di mirë që ne jemi në thumb dhe kurdoherë që të kenë mundësi ata do t’na sulmojnë me tërë fuqinë, për t’na shkatërruar dhe për t’na zhdukur nga faqja e dheut. Por, ne kemi vendosur që tu kundërvihemi dhe të bëjmë rezistencë deri në vdekje, me të gjithë anëtarët e familjes dhe kurrsesi të gjallë mos t’u bijmë në dorë dhe aspak nuk ua kemi frikën atyre.”, ka shkruar Kurti.
Kurse, të nesërmen siç ka shkruar Kurti, fjalët e Hamzës i kishin dalë të sakta teksa forcat serbe sulmuan familjen.
“E nesërmja i provoi për të vërteta fjalët e Hamzës: pritjet për sulm dolën të kishin qenë reale, kurse vendosmëria për rezistencë u sprovua nga luftimet që Hamza i bëri në përballje të drejtpërdrejtë duke shtirë dhe hedhur bomba dore mbi policët. Teksa predhat dhe plumbat po godisnin gjithandej nëpër shtëpitë e tij, nga oda, Shaban Jashari bashkë me tre nipat e tij fare të rinj në moshë, Fitimin (17), Kushtrimin (13) dhe Besimin (16), iu përgjigjën me armë automatike trupave policore speciale të Serbisë, që tentuan të hyjnë edhe brenda shtëpive”, shkruan tutje lideri i ekzekutivit.
“Përkulje me nderime të thella për qëndresën e Jasharëve të Prekazit, duke kujtuar sulmin e dytë të policisë serbe mbi ta, më 22 janar 1998, në këtë përvjetor të 25-të të tij”, ka përfunduar kryeministri.