Kurti: Me pikëllim të thellë mora lajmin për vdekjen e Bajrush Behramit
Në moshën 61-vjeçare ka ndërruar jetë ish i burgosuri politik, i cili mbajti shumë vite burg nëpër kazamatet serbe.
Bajrush Behrami ka qenë edhe veterani i UÇK-së.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook” ka shkruar se me pikëllim e ka marrë lajmin për vdekjen e Bajrush Behramit.
“Me pikëllim të thellë mora lajmin që ka vdekur Bajrush Behrami. Ai ka qenë i burgosur politik për nëntë vjet, veprimtar i paepur për çështje kombëtare e për drejtësi shoqërore. Në vitet 1998 dhe 1999 me Bajrushin kemi punuar bashkë në zyrën e UÇK-së në Prishtinë të udhëhequr nga Përfaqësuesi i Përgjithshëm Politik i UÇK-së, z. Adem Demaçi”, ka shkruar Kurti
Ai ka shkruar se për Bajrush Behramin ka kujtimet më të mira dhe përvojat më të vlefshme nga ato kohë të vështira, kur Bajrush Behrami, me urtësinë dhe vendosmërinë e tij, ndërtoi dhe zhvilloi shërbimin për informim të Zyrës.
“Vdekja e tij më dhemb. Një botë e tërë e vuajtjeve dhe mirësisë në një njeri të vetëm më duket se na iku. Vdekjen e pati të parakohshme por kontributi i tij për ne e kujtimi ynë për të mbeten të përjetshëm”, ka shkruar Albin Kurti.
/Epoka e re/