‘Kurti po përballet me një krizë serioze që nga marrja e pushtetit’
Ish-ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, ka thënë se kryeministri Albin Kurti po përballet me një krizë serioze që nga marrja e pushtetit.
Kjo krizë, sipas tij, është çështja e energjisë.
“Unë mendoj që problemi në këtë krizë është mendësia politike e KM Kurti e që është mendësi e rrezikshme manipuluese e së majtës ekstreme. Për herë të parë kjo mendësi që krijon politika publike e ka sulmu klasën e mesme kosovare. Me këtë ngritje të çmimeve klasa e mesme, puntorë, mësues, profesorë, shërbyes civil dhe të punësuar tjerë e mbajnë barrën që ta paguajnë rrymën për të pasurit”, ka shkruar Selimi në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ai ka thënë se klasa e mesme në Kosovë është pjesa më e madhe e atyre që bëjnë kthesa politike.
“Sot KM Kurti ju ka shpallë luftë. Këtë e ka bërë sepse refleksi i tij ideologjik është për të shkatërruar çdo klasë shoqërore. Kjo, duke i manipuluar të varfrit dhe duke i kooptuar të pasurit, tërë kohën mbi barrën e klasës së mesme. Profeti i barazisë sot i përkrahë të pasurit duke i amnestuar bizneset e tyre nga ngritja e çmimit të energjisë dhe i ngarkon shumicën e qytetarëve që jetojnë ndershëm me një rrogë. Politikat publike të kësaj qeverie do të shkaktojnë krizë sociale, ironikisht duke promovuar me mashtrim barazinë”, ka shkruar ish-ministri Selimi.