“Kurti po përkrahet nga njeriu që përmes mbështetjes së Trump-it kërkoi kaos në shoqërinë amerikane”
Avokati Dastid Pallaska e ka konsideruar kundërthënëse përkrahjen e kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtit, nga filozofi slloven me orientim ideologjik të majtë ekstreme, Sllavoj Zhizhek.
Pallaska, me anë të ‘Facebook’-ut, ka thënë se Zhizhek kishte përkrahur ish-presidentin republikan të SHBA-së, Donald Trump, mbështetje kjo përmes së cilës ai synonte kaos shoqëror, nën kauzën e zgjimit të shoqërisë amerikane.
Së këndejmi, avokati nuk e ka përjashtuar si opsion mundësinë e çarjes për konfrontim me Shtetet e Bashkuara.
Postimi i plotë:
Sot lideri i Lëvizjes Vetëvendosje na tregoi që 77 “akademikë ndërkombëtarë,” në krye me filozofin slloven Slavoj Zhizhek, paskan mbështetur kandidaturën e tij për Kryeministër në zgjedhjet e 14 shkurtit.
Ky është një tregues interesant dhe shumë domethënës i asaj që na pret gjatë qeverisjes së Zt. Kurti:
1. Zhizhek deklarohet si MARKSIST hegelian. Interesimi i tij dhe i bashkëmendimtarëve të tij për qeverisjen në Kosovë sugjeron se politikat dhe idetë e tij marksiste do të gjejnë zbatim nën qeverisjen e Zt. Kurti.
2. Zhizhek ka mbështetur edhe Presidentin Trump në zgjedhjet e vitit 2016. Këtë – siç e ka pranuar edhe ai vetë më vonë – nuk e bëri sepse kishte përafërim ideologjik me Presidentin Trump por sepse e dëshironte një eksperiment politik dhe kulturor në SHBA – dhe kaosin shoqërues – pasi që kjo do të shkaktonte një “zgjim të madh” në shoqërinë amerikane.
Mbi këtë bazë, duket se gjatë mandatit qeverisës të Zt. Kurti do të jemi edhe RAST STUDIMOR për Zhizhekun dhe bashkëmendimtarët e tij.
Duke qenë se jemi produkt i asaj që e majta ekstreme e cilëson si imperializëm amerikan nuk do të befasohesha nëse pjesë e këtij “eksperimenti shkencor” do të ishte edhe cytja/nxitja e qeverisë së ardhshme për konfrontim me SHBA-të, përkatësisht me idetë liberale të ekonomisë së tregut dhe demokracisë që përfaqësohen nga SHBA-të.
Nuk mund të thuhet që Zt. Kurti nuk na ka paralajmëruar për këtë. Insajderi.org