‘Kurti po përpiqet t’i kontrollojë pakënaqësitë brenda partisë’
Kërkesa e kreut të qeverisë, Albin Kurti, drejtuar aktivistëve që t’i kursejnë kritikat ndaj partisë, po qortohet nga njohës të rrethanave politike në vend, raporton Ekonomia Online. Madje ata thonë se ndonëse LV-ja është mbajtur për parti demokratike, me thirrjet e fundit po dëshmohet e kundërta.
Sipas tyre, LV-ja ka ardhur në pushtet duke e kundërshtuar Asociacionin, prandaj pranimi mund të ngjallë pakënaqësi tek anëtarët e partisë të cilët mund edhe ta kundërshtojnë atë.
Analisti Bekim Kabashi tha se kryeministri Kurti po mundohet që t’i kontrollojë pakënaqësitë brenda partisë. Ai theksoi se edhe përkundër pakënaqësive nuk dëgjohet zëri i atyre që janë kundër dhe se VV-ja po shkon drejt një partie autoritare.
“Vendi është në fazë që Kosova ka pranuar statutin për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe sigurisht që mund të ngjallë pakënaqësi brenda të këtij subjekti politik pasi që dihet se Lëvizja Vetëvendosje ka qenë subjekti, i cili ka ndërtua formën e saj si parti politike viteve të fundit duke u bazuar te kundërshtimi i Asociacionit. Në këtë rast kryeministri Kurti, në vend që të shkonte të fliste me përfaqësueset të Lëvizjes Vetëvendosje, lider-shipin e partisë ku edhe strukturat e partisë duke ua shpjegua se çfarë përmban statuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe ai ka zgjedh një formë tjetër pra që ta tërheq vëmendjen nga kjo temë që është jashtëzakonisht e rëndësishme dhe tu flas për organizimin e brendshëm partiak, ku duhet të jenë të disiplinuar”.
“… faktikisht kjo tregon për një lloj udhëheqje drejtimit të partisë së formës autoritare sepse Lëvizja Vetëvendosje është mburrë vazhdimisht aq më tepër se një parti përparimtare që ka formatin e saj të organizimit se vendimmarrja është demokratike. Veprimet e fundit tregojnë që është e kundërta pra zotëri Kurti, mundohet që ta kontrollojë pakënaqësinë e brendshme në parti duke hedhur kritika ndaj tyre që do të duhej të ndodhte e kundërta, e kemi parë qe ka zëra të caktuar pavarësisht që ata janë shumë të të paktë dhe nuk është që është dëgjohet zëri i tyre aq shumë”.
Zgjim Hyseni, anëtar i Partisë Socialdemokrate, tha se prej aktivistëve nuk kërkohet u mendimi e bindja, por të marrin udhëzimin me vepruar, duke shtuar se edhe deputetëve po u kërkohet që të mbrojnë Qeverinë e kryeministrin.
Madje, sipas tij, sa më të rënda po bëhen kompromiset e Qeverisë, duke përmendur dialogun me Serbinë, aq më shumë kërkohet me qenë “robot”, raporton EO.
“Çka po iu kërkohet aktivistëve mbase edhe deputetëve është me u mobilizuar në mbrojtjen e partisë e të kryeministrit, mirëpo dinamika është kjo sa ma larg që shkohet më kompromise aq më e verbër kërkohet më qenë mbështetja edhe mbrojtja për Qeverinë e për partinë e për kryeministrin, sa më i rëndë që bëhet kompromisi aq ma shumë kërkohet me qenë robot, Lëvizja Vetëvendosje është në një proces të rendë të desubjektuvimit prej aktivistëve më nuk kërkohet me menduar më u bind mbi kauzën e pastaj me veprua sot prej aktivistëve kërkohet më marr udhëzimin edhe më vepruar”.
“…pushtetit ka vendosë mos më fol, madje as me njeri-tjetrin, për arsye të pushtetit LVV si organizatë është e rehatuar secili tashmë mendon për veti”.