Kurti: Po punojmë që ta zbusim krizën energjetike
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë se janë duke punuar që ta gjejnë zgjidhjen më të mirë që të ketë edhe furnizim të qëndrueshëm, por edhe të zbusin krizën energjetike.
Në seancën e Kuvendit, ku po diskutohet për ta gjetur një zgjidhje lidhur me krizën e energjisë elektrike, Kurti ka theksuar se Kosova është e fundit në rajon që po e kaplon kjo krizë.
Ai ka pohuar se kriza e ka përfshirë gjithë rajonin dhe më gjerë dhe se shtetet po ndërhyjnë në prodhim, konsum dhe tregun e energjisë elektrike.
“Ne në mbledhjen e fundit të Qeverisë e kemi adresuar krizën energjetike e cila po na troket në derë, megjithatë ne jemi të fundit që po na kaplon kriza. Rajoni por edhe një pjesë e madhe e kontinentit tash ndodhen në krizë energjetike. Çmimet e energjisë elektrike në bursë janë shumëfishuar dhe nuk mund të ngelet as tek ne një situatë e favorshme, për derisa vazhdojmë të paguajmë vetëm 7 cent për kilovat/orë. Është e vërtetë që po blejmë shtrenjtë dhe po shesim lirë energji elektrike dhe pa një afat të caktuar. Rrjeti i shpërndarjes dhe stabilimentet prodhuese në Kosovë janë amortizuar, e konsumi i energjisë është rritur. Të zëmë sot në orën 8:00 kemi prodhuar 720 megavat, e konsumi ka qenë në mëngjes mbi 1,000 megavat. Konsumi është shumë më i madh për shkak të stinës së dimrit. Qe besa edhe pse energjia elektrike është e lirë dhe konsumi është i kollajshëm”, ka thënë Kurti.