Kurti po turret njëherë, tani po zmbrapset
Çështja e dinarit ka përfunduar në tryezën e bisedimeve Kosovë – Serbi në Bruksel. Në takim kanë marrë pjesë ekspertë financiarë nga të dyja shtetet, por pa rezultat.
Analisti politik Azem Vllasi mendon se çështja e dinarit nuk është dashur të ngritët në nivel të problemit politik në mes të dy vendeve.
Vllasi e ka vlerësuar si të gabuar qasjen e kryeministrit Albin Kurti ndaj shumë çështjeve në raport me Serbinë.
Sipas tij, Kurti fillimisht po turret, pastaj po zmbrapset.
“Ai po turret njëherë, tani po zmbrapset. U turr për çështjen e targave derisa u ngritën tensionet, pastaj u zmbraps duke e shtyrë afatin. Tash kemi sërish një zmbrapsje pasi e kanë shtyrë afatin e zbatimit të vendimit. Kurti në fund të janarit tha që kanë marrë vendim për ndalimin e dinarit dhe ai vendim do të zbatohet prej 1 shkurti, e tash kemi shtyrje të afatit për tre muaj”, ka thënë Vllasi.
Tutje Vllasi ka shtuar se kryeministri Kurti duhet të jetë partner me i besueshëm në raport me aleatet e vendit, e sidomos më Amerikën.