Kurti: Policia ka gati 50% më shumë buxhet sesa kishte para qeverisjes sonë
Të premten në sallën “1 Tetori” në Prishtinë është mbajtur ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 60 të Policisë së Republikës së Kosovës, ku diplomuan 448 policë të rinj.
Në këtë ceremoni kanë marrë pjesë personalitete të larta shtetërore dhe ndërkombëtare, familjarë të zyrtarëve policorë që diplomuan dhe eprorë të Policisë së Kosovës.
Me këtë rast, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se polica po shton dhe forcon radhët e saj duke qenë në nivelin më të lartë të detyrës për sundimin e ligjit dhe ruajtjen e sovranitetit e integritetit të vendit.
“Policia e Kosovës këtë vit mbush 25 vjet. Sot i shtohen radhëve të saj edhe 448 policë të rinj. Themelimi i Policisë përkon me çlirimin e vendit. Zhvillimi i saj ecën krah për krah me përparimin e shtetit. Gjenerata jubilare e 60-të, në të cilën çdo e pesta është grua, e ku si në çdo gjeneratë tjetër ka edhe kadetë të diplomuar nga radhët e komuniteve joshumicë, do të shërbejë me nder dhe dinjitet, pa dallim e për të gjithë, si vlera, parime dhe identitet i policisë sonë. Përkushtimit profesional për të shërbyer, ia kemi dhënë dhe mbështetjen institucionale që meriton. Policia ka gati 50% më shumë buxhet sesa kishte para qeverisjes sonë. Kemi bërë investime prej afër 17 milionë euro në pajisje policore logjistike, 3 milionë euro në rregullimin dhe ndërtimin e objekteve policore, gati 8 milionë euro në flotën automjeteve dhe autoblindave. Sepse misionin për vendin tonë e kemi të përbashkët. Çdo sfidë e çdo sukses, do ta kalojmë bashkë”, ka deklaruar Kurti.