Kurti: Policia në veri tregoi profesionalizëm, parandaloi një skenar kriminal dhe terrorist
Kryeministri Albin Kurti, ka thënë se rreshteri Afrim Bunajku është hero i Kosovës.
Ai ka thënë se të dielën Policia e Kosovës ka treguar profesionalizëm, duke parandaluar një skenar kriminal dhe terrorist në veri të vendit.
Në mbledhjen komemorative kushtuar Bunjakut, Kurti ka thënë se ligjshmëria, kushtetutshmëria, paqja dhe siguria do të jenë gjithmonë dhe çdo herë për gjithsecilin dhe pa dallime.
“E diela 24 shtatorit na ka mbledhur sot këtu dhe shpirtërisht me gjithë Kosovë për të nderuar jetën dhe veprën e rreshter Afrim Bunjaku. Dita e sotme është ditë zie në vendin tonë për shkak të pikëllimit për Afrim Bunjakun. Por, e sotmja është edhe dita kur do t’i bëhen nderimet edhe më të mëdha për Afrimin, për Policinë tonë që me veprimet e saj profesionale dhe të guximshme e parandaloi një skenar kriminal dhe terrorist”, ka thënë Kurti, duke shtuar se Afrim Bunjaku është vrarë gjatë një sulmi nga një grup terroristësh. “Nga dje asgjë nuk mund të jetë më njësoj. Faktet dolën për ta parë të vërtetën e rajonit. Ky reagim i institucioneve tona profesionalisht ka qenë në përputhje me shtetin tonë demokratik dhe perëndimore. Sot përballë fotografisë së portretit të Afrim Bunajkut përkulemi me nderime dhe respekt si dhe zotohemi për drejtësi dhe kujtesë. Ligjshmëri dhe kushtetutshmëri, paqe dhe siguri për të gjithë dhe secilin pa dallim”, ka thënë Kurti. /EO