Kurti: Populli vendosi të mbarojë pritja e gjatë për një qeveri të pakorruptuar
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, së bashku me anëtarët e Kryesisë së kësaj lëvizje, Albulena Haxhiu dhe Xhelal Sveçla, janë pritur në takim nga ministri i Mbrojtjes së Italisë, Lorenzo Guerini dhe ambasadori i Italisë në Kosovë Piero Cristoforo Sardi.
Në njoftimin e Vetëvendosjes është thënë se Guerini e ka uruar Kurtin për rezultatin dhe fitoren në zgjedhjet e 6 tetorit.
Ndërsa Kurti e ka njoftuar ministrin italian mbi prioritetet e Qeverisë në ardhje për ndërtimin e një shteti të së drejtës, të barabartë në mirëqenie e të qëndrueshëm financiarisht. Ai ka thënë se populli ka vendosur që të mbarojë pritja e gjatë për një qeveri të pakorruptuar dhe punëtore.
“Shprehëm falënderimin dhe mirënjohjen tonë për përkrahjen dhe ndihmën e Italisë për Kosovën për paqe, zhvillim, demokratizim e siguri. Italia është edhe fqinji më i madh i Ballkanit Perëndimor. Bashkëpunimi ynë do të jetë i afërt dhe i sinqertë, si bilateral ashtu edhe për BE e NATO. Prandaj edhe takimet tona do të jenë sa më të shpeshta e sa më konstruktive”, është thënë në njoftimin e Vetëvendosjes.
/Epoka e re/