Kurti premton 100 milionë euro investime në bujqësi

10 nëntor 2021 | 15:19

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se në sektorin e bujqësisë kanë adresuar 40 milionë euro obligime, ndërsa buxheti është rritur në 70 milionë euro, dhe përfshirë edhe donacionet në bujqësi në vitin 2022 do të investohen rreth 100 milionë euro

Qeveria e Kosovës ka zhvilluar të mërkurën mbledhjen e radhës, në të cilën ka miratuar pesë projektligje dhe vendime të tjera të përgjegjësive të saj kushtetuese dhe ligjore.

Në fjalën e hapjes, kryeministri Albin Kurti është fokusuar në angazhimin e qeverisë për të siguruar rritje dhe mbështetje të fuqishme të sektorit të bujqësisë në vend.

“Nëpërmjet politikave afatgjata dhe shtimit të buxhetit, Qeveria e Republikës së Kosovës është duke u siguruar, që të përkrahë sektorin e bujqësisë, si është më së miri e më sigurt, duke e rritur përkrahjen për fermerët tanë. Kjo përkrahje e madhe, do të gjejë mbështetje dhe siguri në legjislacionin të cilin ne po e konsolidojmë, duke filluar me Projektligjin për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, të cilin e kemi në rend të ditës. Kemi filluar nga adresimi i obligimeve të trashëguara ndaj fermerëve, që ishin rreth 40 milionë euro dhe e kemi rritur buxhetin për bujqësi”, ka thënë Kurti, duke theksuar se dy javë më parë, me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, lansuan masat për investimin në shtim të prodhimtarisë dhe zgjerim të kapaciteteve prodhuese.

“Krahas buxhetit të ri e të rritur, me zero obligime financiare karshi fermerëve, Kosova, vitin e ri e fillon me strategji shtatëvjeçare për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, si dhe strategji dhjetëvjeçare për pylltari. Pra, buxhet më të madh dhe orientim afatgjatë, me kritere të qarta e transparente për të gjithë. Me buxhetin e ri për vitin 2022, do të realizohet përkrahja më e madhe ndonjëherë, me 70 milionë euro. E bashkë me përkrahjen nga Komisioni Evropian dhe donatorë të tjerë, në sektorin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, në total do të investohen afërsisht 100 milionë euro”, ka deklaruar Kurti.

Kryeministri ka thënë se nëpërmjet Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural kanë aplikuar në Programin për Bujqësi Globale dhe Siguri Ushqimore (GAFSP) për grantin prej 20 milionë eurosh, mbështetje për fermerët e vegjël, të cilët janë ndihmuar pak deri më tani.

“Pra, buxhet mbi 100 milionë, strategji afatgjatë, lehtësime dhe shërbime të subvencionuara, treg dhe transparencë. Do t’i kemi së paku edhe 10 milionë euro për rezerva shtetërore, që mund të mbushen me prodhime vendore”, ka deklaruar Kurti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme të Senatit amerikan,…