Kurti premton vaksinimin e 60 për qind të popullatës kundër COVID-19
Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, gjatë prezantimit të programit ka thënë se në planin për pandeminë pritet të vaksinohen së paku 60 për qind e popullatës.
“Masat e veprimit do të jenë, vaksinimi i së paku 60 për qind të popullatës, sigurimi i materialit mbrojtës, barnave e testeve, trajnimi i vazhdueshëm dhe rritja e kapaciteteve. Rritja e kapaciteteve në kujdesin parësor shëndetësor. Do të fillojmë bisedime me vendet e rajonit, me theks të veçantë Shqipërinë, për përballjen e përbashkët me pandeminë COVID-19. Do të përgatitemi e të aplikojmë për anëtarësim në OBSH”, ka thënë Kurti në prezantimin e programit të VV-së për zgjedhjet e 14 shkurtit.
Ndërkohë, Kurti ka thënë se do të punojë që edhe ekonomia të dalë nga pandemia.
“Një ekonomi që ka më shumë prodhim e eksport, më shumë punëtorë e më shumë të drejta të punëtorëve. Pa monopole e me ndërmarrje publike që operojnë suksesshëm. Ndërmarrësve tanë do t’u ofrojmë qasje të lehtë në financa për rritjen e prodhimit”, ka thënë ndër të tjera Kurti.
Kurti po e shpalos programin ku edhe do t’i prezantojë kandidatët për deputetët.