Kurti: Presidenti ka vendosur ta anashkalojë nenin 82.2 të Kushtetutës
Kryeministri në detyrë Albin Kurti përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se presidenti ka vendosur ta anashkalojë nenin 82.2 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës i cili i referohet situatës pas mocionit të suksesshëm të mosbesimit ndaj Qeverisë.
Kurti ka thënë se presidenti Hashim Thaçi nuk është neutral, pasi sipas tij, ai ka interes politik dhe synim personal, gjersa duhej të ishte i paanshëm e procedural.
“Ajo që ishte e nevojshme por nuk u bë, përbën shkelje. Presidenti ka vendosur të anashkalojë nenin 82.2 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës i cili i referohet situatës pas mocionit të suksesshëm të mosbesimit ndaj Qeverisë. Presidenti po sillet thua se Qeveria varet nga Kuvendi por ky s’varet nga populli, thua se zgjedhjet demokratike janë mjet por jo edhe vlerë. Ajo që ishte e panevojshme por u bë, po ashtu përbën shkelje. Presidenti takoi gjitha partitë parlamentare politike, dhe, më pas kërkoi nga subjekti ynë fitues i zgjedhjeve të propozojë kandidatin për Kryeministër. Pra, Presidenti nuk është neutral, ai ka interes politik dhe synim personal, gjersa duhej t’ishte i paanshëm e procedural. Disi don të besojë se 25 marsi 2020 ka ndodhur pa 3 shkurtin 2020! Sidoqoftë, ne do t’i përgjigjemi, në një moment të përshtatshëm, në këtë kohë virusi”, ka shkruar Kurti.
Neni 82.2 i Kushtetutës thotë: “Kuvendi mund të shpërndahet nga Presidenti i Republikës së Kosovës, pas votimit të suksesshëm të mosbesimit të Qeverisë”.
/Epoka e re/