Kurti: Presidentin Rugova e kujtojmë për kombëtarizimin e rezistencës
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me presidenten e vendit, kanë bërë homazhe te varri i ish-presidentit historik Ibrahim Rugova, me rastin e 18-vjetorit të vdekjes së tij.
Pas homazheve, Kurti para medieve e ka kujtuar rolin dhe kontributin e presidentit Rugova kontributin në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës dhe në kombëtarizimin e rezistencës.
“Bashkë me presidenten Osmani dhe me kolegë të tjerë nga institucione të shtetit vendosëm lule të freskëta te varri i presidentit Rugova i cili është edhe presidenti i parë i Republikës së Kosovës, kjo Republikë është Republikë për rezistencë ndaj okupimit të Serbisë në Kosovë por edhe presidenti i parë i Kosovës së çliruar. Sot në 18 vjetorin e ndarjes së tij nga jeta e kujtojmë për rolin dhe kontributin në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës dhe në kombëtarizimin e rezistencës”, tha ai.
Kreu i ekzekutivit theksoi se si shkrimtar shqiptar dhe si kritik letrar, Rugova e kuptonte si rrallë kush tjetër ndërlidhjen e përfaqësimit politik me kulturën popullore.
“Dhe kjo ishte tejet e vlefshme për rezistencën paqësore gjatë viteve të 90-ta. U prehtë në paqe dhe i qetë”, shtoi ai.