
Kurti: Presim nga KQZ-ja më shumë angazhim për përfundimin e numërimit të votave
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të mërkurën në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës se Lëvizjes Vetëvendosje i takon t’i formojë institucionet në legjislaturën e nëntë.
“Kemi hyrë në fazën finale të procesit të numërimit të votave për zgjedhjet e 9 shkurtit. Sot fillon numërimi i votave të diasporës. Sipas njoftimeve të Komisionit Qendror Zgjedhor, më së largu, deri në javën tjetër pritet të kemi rezultatet përfundimtare për subjektet politike. Si fitues të qartë të këtyre zgjedhjeve, nga ne qytetarët presin që sa më parë të përmbushim obligimin që na takon për formimin e institucioneve në legjislaturën e 9-të. Deri atëherë nga ju, të nderuar kabinet qeveritar, kolegë, pres që të vazhdoni punën dhe punët e mira me po të njëjtin ritëm”, ka thënë Kurti.
Ai ka thënë se të gjithë presin nga Komisioni Qendror Zgjedhor edhe më shumë angazhim për përfundimin e procesit të numërimit dhe kujdes të shtuar në mbrojtjen e vullnetit të votuesve për të përmbyllur kësisoj një proces zgjedhor të lirë, të rregullt, të ndershëm e demokratik, me pjesëmarrje masive të qytetarëve, për çfarë, ka falënderuar secilën dhe secilin.
“Pjesëmarrje më të lartë ndonjëherë në zgjedhje pati edhe diaspora jonë, e cila për herë të parë, përveç votimit me postë, pati mundësinë të votojë edhe në ambasada dhe konsullatat tona. Falënderoj bashkatdhetarët që morën pjesë në këto zgjedhje, qoftë përmes votimit nga jashtë, qoftë duke udhëtuar në Kosovë për të votuar, duke u bërë ashtu edhe siç janë pjesë e pandashme e vendimmarrjes për vendin tonë”, ka thënë Kurti.
Sipas rezultateve preliminare, Lëvizja Vetëvendosje (LV) ka dalë e para në këto zgjedhje, me 40.90 për qind të votave.