Kurti: Presim që të gjitha barrikadat të hiqen gjatë ditës
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se janë gjithsej nëntë barrikada të vendosura në veri të Kosovës, siç tha “me njerëz të armatosur”, që mbrëmë sipas tij kanë ndaluar qytetarët dhe kanë shtënë me armë zjarri.
Gjatë një konference për media, Kurti paralajmëroi se më 1 gusht se strukturat ilegale serbe në Kosovë po bëhen më agresive.
“Janë gjithsej nëntë barrikada. Presim që gjatë ditës së sotme të hiqen të gjitha”, ka thënë Kurti, i cili me pas shtoi se barrikadat do të konsiderohen se janë larguar, vetëm kur të hiqen të gjitha.
Kurti ka thënë se Qeveria përsërit zotimin se kur të hiqen të gjitha barrikadat, do të shtyhet zbatimi i dy vendimeve të ekzekutimit për targat dhe dokumentet serbe.
Ai falënderoi ambasadorin amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, për kontributin e tij në uljen e tensioneve. Hovenier ishte takuar me liderët e Kosovës mbrëmjen e së dielës, duke iu kërkuar që të shtyjnë zbatimin e vendimeve për dokumentet dhe targat serbe.
Këto dy vendime nxitën pakënaqësi te serbët lokalë të cilët bllokuan rrugët që çojnë në dy pikëkalimet kufitare – Jarinjë dhe Bërnjak – që lidhin Kosovën dhe Serbinë. Kurti tha se këto dy pikëkalime ende janë të mbyllura sepse “ende mbeten të bllokuara rrugën që shpien atje”.
Disa barrikada në veri kanë filluar të largohen më 1 gusht, dhe Kosova ende po vazhdon zbatimin e reciprocitetit për dokumentet serbe. Deri në mesditë, janë lëshuar 1.501 dokumente për hyrje-dalje për shtetasit e Serbisë që hyjnë në territorin e Kosovës.