Kurti pret homologun kroat, vlerësohen të mira marrëdhëniet Kosovë-Kroaci

15 nëntor 2021 | 13:18

Me nderime të larta shtetërore, në ceremoninë e organizuar në Qeverinë e Republikës së Kosovës, kryeministri Albin Kurti ka pritur kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviq.

Në vizitën e tij të parë në Kosovë, kryeministrit të Kroacisë, Andrej Plenkoviq, iu urua mirëseardhje në Aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari” nga kryeministri Kurti.

Sipas njoftimit të Qeverisë, në takimin e përbashkët ndërmjet dy kryeministrave, anëtarëve të kabineteve e përfaqësuesve të tjerë institucionalë, u theksuan marrëdhëniet tradicionalisht të mira ndërmjet dy popujve dhe dy republikave.

“U bisedua për mundësitë e potencialin që kanë dy qeveritë për bashkëpunim bilateral, që do të sigurojë ringjallje më të shpejtë nga kriza e shkaktuar si rezultat i pandemisë Covid-19, duke përfshirë ngritjen e investimeve si dhe shkëmbimeve ekonomike e tregtare”, theksohet në njoftimin për media.

Po ashtu u diskutuan hapa konkret drejt avancimit të zbatimit të dymbëdhjetë marrëveshjeve të arritura më herët ndërmjet dy shteteve, për arsimin, shkencën, kulturën dhe ekonominë, si dhe shtatë marrëveshje të tjera, që pritet të finalizohen së shpejti.

Kryeministri Kurti i ndau mirënjohje kryeministrit të Republikës së Kroacisë, për miqësinë, marrëdhëniet e shkëlqyeshme dhe mbështetjen historike të Republikës së Kroacisë ndaj Republikës së Kosovës në të gjitha fazat e shtetndërtimit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, në një…