Kurti pret në takim kryetarin e Aleancës për Shqiptarët
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga këshilltari i tij politik për Maqedoninë e Veriut, Bekim Qoku, priti kryetarin e Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari dhe deputetin nga radhët e këtij subjekti, Halil Snopçe.
Në një takim miqësor, që u zhvillua pas homazheve që bënë bashkë te varri i Astrit Deharit, u trajtuan shumë tema aktuale dhe me interes.
“Sfidat me të cilat përballen dy vendet tona janë të përbashkëta, ndajmë shqetësimin e njëjtë dhe vizionin e njëjtë për të ardhmen e qytetarëve tanë dhe mbarë rajonit”, u tha në takim, njofton zyra për informim e qeverisë.
Më tej theksohet se u bisedua për raportet ndërmjet dy vendeve dhe avancimin e tyre përmes intensifikimit të bashkëpunimit dhe projekteve të përbashkëta.
“Lidhjet infrastrukturore kanë rëndësi të veçantë jo vetëm për qytetarët por edhe për ekonominë e dy vendeve tona. Koordinimi dhe sinkronizimi i politikave zyrtare kontribuon në tejkalimin e probleme dhe gjetjen e zgjidhjeve më të mira për të ardhmen edhe të mbarë rajonit”, është bërë me dije në njoftimin për medie.