Kurti pret në takim Kryetarin e Komisionit për Çështje Politike dhe Demokraci, Bertrand Bouyx
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me zëvendësministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, mirëpriti sot Kryetarin e Komisionit për Çështje Politike dhe Demokraci, në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Bertrand Bouyx, që në takim shoqërohej nga Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot.
Kryeministri Kurti falënderoi Bouyx për përkrahjen e tij në procesin e anëtarësimit të Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës. Pas miratimit të raportit të raportueses Dora Bakoyannis në Komision, pritet votimi i të njëjtit nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës me 16 prill.
Republika e Kosovës po shënon progres të vazhdueshëm në zhvillimin e demokracisë dhe sundimit të ligjit, sipas organizatave prestigjioze ndërkombëtare.
“Besimi në të drejtat e njeriut është thelbësor pasi i bën bashkë universalitetin dhe barazinë”, tha kryeministri Kurti gjatë takimit.
Republika e Kosovës është e përkushtuar ndaj garantimit të të drejtave të të gjithë qytetarëve dhe është e gatshme të rreshtohet me shtetet tjera anëtare në mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave dhe lirive themelore, përmes anëtarësimit në Këshillin e Evropës në 75-vjetorin e themelimit të tij.