Kurti pret në takim lamtumirës ambasadoren e Kroacisë
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka pritur sot në takim lamtumirës ambasadoren e Kroacisë Marija Kapitanoviq dhe sekretarin e parë të kësaj ambasade, Zlatko Vnuçec.
Kurti e ka falënderuar Kapitanoviq për bashkëpunimin gjatë shërbimit të saj dhe i ka uruar suksese në angazhimet e tjera të radhës.
“Përgjatë bisedës u theksua rëndësia e institucionalizimit të mëtutjeshëm të marrëdhënieve bilaterale mes dy shteteve tona. Po ashtu, u diskutuan përvojat e Kroacisë në forcimin e saj ligjor e demokratik dhe ndihma e mbështetja e Kroacisë në shtetndërtimin e Kosovës. Kryetari Kurti përsëriti nevojën e vendit tonë për një qeveri të re e cila do t’i intensifikojë marrëdhëniet ndërshtetërore me vendet aleate e partnere, veçanërisht me Kroacinë”, është theksuar në njoftimin e LV-së.
Sipas këtij njoftimi, në fund të takimit, Kapitanoviq shprehu dëshirën e saj për t’i ndjekur edhe më tej zhvillimet politike në Kosovë sidomos në këto kohëra interesante, ndërkaq zyrtarët e Lëvizjes shprehën gatishmërinë që të vazhdojnë bashkëpunimin me pasuesin e ambasadores.
/Epoka e re/