Kurti pret në takim përfaqësuesit e NDI-së, diskutojnë për bashkëpunimin
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim përfaqësuesit e Institutit Demokratik Kombëtar (NDI), kryesuar nga presidenti, Derek Mitchell.
Thellimi i bashkëpunimit të mëtejmë ndërmjet Qeverisë dhe NDI-së, ishte tema kryesore e këtij takimi.
“Qeveria e re, jo vetëm për nga koha e marrjes së detyrës, por edhe për nga stili i udhëheqjes, është qeveria e ndryshimeve dhe mundësive të mëdha për njerëzit”, ka deklaruar kryeministri Kurti.
Ai ka bërë me dije rezultatet dhe pritjet për zhvillim ekonomik, ku në bazë të projeksioneve dhe statistikave të deritanishme deri në fund të këtij viti Kosova do të ketë një rritje mbresëlënëse dyshifrore.
Kurti ka theksuar se sipas vlerësimit të Bankës Qendrore të Kosovës, ekonomia jonë do të rritet për 9.9 për qind. Ndërsa krahasuar me vitin paraprak, ai ka thënë se të hyrat tatimore për periudhën janar – shtator janë rritur për 33 për qind dhe eksportet për 68 për qind.
Ai ka theksuar se bazuar në këtë performancë të shkëlqyer ekonomike, projektbuxheti i vitit 2022 është më i larti dhe më gjithëpërfshirësi ndonjëherë, në vlerë 2.75 miliardë euro.
Kryeministri Kurti vuri theksin te përkushtimi për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, dhe intensifikimi i luftës kundër kontrabandës, evazionit fiskal e kriminalitetit në gjithë territorin e Republikës, duke përmendur rezultatet konkrete në këta shtatë muaj.
Lidhur me gjendjen aktuale me pandeminë, kryeministri Kurti i njoftoi që përkundër asaj që kur qeveria ka pranuar detyrën nuk ka pasur vaksina të blera e as të kontraktuara, brenda shtatë muajsh janë administruar afër 1.6 milion doza.
Kurti ka thënë se deri më tani janë rreth 63 për qind të qytetarëve mbi 16 vjeç të vaksinuar me të paktën një dozë, ndërsa mbi 54 për qind kanë marrë dy dozat e vaksinës, gjë që e bën Kosovën të prijë në rajon.
Në këtë takim u bisedua për rëndësinë e pjesëmarrjes së grave në politikbërje dhe vendimmarrje, si dhe afrimin e institucioneve me qytetarët.
Temë e takimit ishin edhe zgjedhjet lokale të mbajtura si dhe balotazhi që po afrohet. Zgjedhjet e lira dhe demokratike të 17 tetorit u vlerësuan për mbarëvajtjen e tyre.