Kurti pret që Kosova të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës
Kryeministri Albin Kurti ka thënë të dielën se pas zbatimit të aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me çështjen e Manastirit të Deçanit, pret që Kosova të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës. “Pas dy ditëve, më 16 prill, do ta kemi votimin më të rëndësishëm deri më sot në këtë proces, me ç’rast Asambleja Parlamentare pritet ta miratojë opinionin e znj. Bakoyannis i cili rekomandon anëtarësimin e plotë të Kosovës, pa asnjë parakusht shtesë dhe pa fusnotë”, ka thënë Kurti, duke shtuar se betejën e radhës e të fundit për këtë proces do ta kemi deri në mesin e muajit maj, kur mbahet ministeriali i Këshillit të Evropës i cili duhet ta ftojë Kosovën që të bëhet anëtarja e 47 e organizatës më të madhe dhe më të vjetër të kontinentin tonë.
Kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se qytetarët janë duke përjetuar progresin e qeverisjes aktuale.
Ai ka thënë se tash e tri vjet qytetari e ndjen që qeveria nuk e vjedh atë. “Por qytetari duhet të ndjejë e ta përjetojë edhe drejtësinë t’ia japë hakun. Progresit i nevojitet drejtësia. Drejtësisë i nevojitet progresi. Qeveria progresin, gjyqësori drejtësinë, kështu janë shtyllat e një shteti demokratik ku pushtetet janë të ndara, por nuk mund të kemi qëndrueshmëri nëse secila shtyllë nuk është shtyllë që e mban shtetin për të mirën e shoqërisë”, është shprehur Kurti të dielën.
Ai ka thënë se avancimi dhe progresi brenda vendit është përcjellë njëkohësisht edhe me përmirësimin e imazhit dhe forcimin e sovranitetit jashtë. “Koha kur qytetarët e Kosovës ishin më të izoluarit në Evropë mori fund në janar të këtij viti me liberalizimin e vizave që solli lirinë e lëvizjes dhe forcimin e pasaportës. Nga 1 janari pasaportën e Republikës së Kosovës e njeh edhe Spanja. E liria e lëvizjes vetëm sa shtoi dashurinë për vendlindjen ashtu siç e kishim parashikuar ne pasi tani kemi më shumë qytetarë që kthehen sesa që shkojnë. Mbase, në fund të vizitave, qytetarët po kthehen bashkë me bashkë-familjarët tanë nga mërgata dhe po sjellin edhe vizitorë të huaj, miq të tyre për të shijuar bukuritë e Kosovës e për të parë një shoqëri e kulturë sa të lashtë gjithashtu edhe dinamike në aktualitet”, është shprehur Kurti.
Ai ka theksuar se në maj të vitit 2022 i dhanë fund edhe një periudhe tjetër të izolimit duke aplikuar në Këshill të Evropës, ku, sipas tij, pasi kanë kaluar shumë pengesa kanë ardhur në fund të rrugëtimit për anëtarësim të plotë.
“Si kryeministër dhe Qeveri e Republikës së Kosovës, më 13 mars të këtij viti morëm një vendim shumë të vështirë, e megjithatë vazhdojmë të besojmë, të paevitueshëm. Në kuadër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, procesi ishte bllokuar nga akterët relevant të Asamblesë Parlamentare të kësaj organizate për shkak se Kosovës i ishin vënë tri parakushte të cilat duhej të plotësoheshin para se procesi të përparonte me tutje. Si rezultat i lobimit intensiv të institucioneve tona, për çfarë në veçanti e falënderoj Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, u arrit që nga këto tri parakushte, përparimi i procesit të anëtarësimit të sigurohej me vetëm një parakusht: zbatimin e aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me çështjen e Manastirit të Deçanit”, ka deklaruar kryeministri.
Ai ka shtuar se sado që kishim të bënim me një vendim të padrejtë e të çuditshëm të Gjykatës Kushtetuese, dakordimi që të mbetej ky parakusht ishte arritur mes raportueseve politikë dhe tri grupeve me të mëdha politike në Asamblenë Parlamentare.
“Pra, ishte parakusht i pakompromis dhe i pakthyeshëm. Në anën tjetër, pas shqyrtimeve të gjata e të detajuara juridike u siguruam që ky rast nuk përben precedent dhe dihej tashmë që nuk kishte asnjë mjet legal e juridik për ta kontestuar atë. Sot, gjendemi në një situatë shume më të favorshme në këtë proces. Raporti dhe opinioni i znj. Bakoyannis njeh plotësimin e të gjitha parakushteve dhe qartë thotë që zotimet e tjera të Kosovës duhet të përmbushen pas anëtarësimit. Pas dy ditëve, pra pasnesër, më 16 prill, do ta kemi votimin më të rëndësishëm deri më sot në këtë proces, me ç’rast Asambleja Parlamentare pritet ta miratojë opinionin e znj. Bakoyannis i cili rekomandon anëtarësimin e plotë të Kosovës, pa asnjë parakusht shtesë dhe pa fusnotë”, ka thënë Kurti, duke shtuar se betejën e radhës e të fundit për këtë proces do ta kemi deri në mesin e muajit maj, kur mbahet ministeriali i Këshillit të Evropës i cili duhet ta ftojë Kosovën që të bëhet anëtarja e 47 e organizatës më të madhe dhe më të vjetër të kontinentin tonë.
“Këto janë pritjet tona sepse raportet e juristëve eminentë dhe të tri raportueseve politike kanë treguar që Kosova plotëson standardet dhe ka përmbushur parakushtet. Prandaj, nuk ka arsye për hezitim, shtyrje e aq më pak për kundërshtim”, ka thënë Kurti.