Kurti pret thirrjen e Brukselit për takim me Vuçiqin: Jam gati dhe i interesuar
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se është i gatshëm dhe i interesuar që t’i kthehet tavolinës së dialogut me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Kurti në një konferencë për media është pyetur nga gazetarët edhe rreth takimit të mundshëm me Vuçiqin, për datën e të cilit tha se do të vendosë Bashkimi Evropian.
“Ne jemi të përkushtuar për dialog të balancuar, parimor, drejt një marrëveshje ligjërisht të obligueshme, e cila e ka në qendër njohjen reciproke, dhe qasja jonë është konstruktive. Varet nga Brukseli se kur do të jetë takimi i radhës, por edhe gatishmëria jonë dhe interesimi ynë nuk do të mungojnë asnjëherë”, ka thënë ai.
Kjo po konsiderohet të jetë faza finale e dialogut me Serbinë, derisa presioni për ta pranuar Asociacionin e Komunave serbe është rritur.
Kjo çështje ka qenë kryesorja në vizitën e emisarëve Gabriel Escobar dhe Mirsollav Lajçak gjatë kësaj jave.
Kurti më herët kishte deklaruar se nuk do ta respektojë asnjëherë marrëveshjen për “Zajednicën” siç e quante ai, megjithatë, tani është shprehur se nuk frikësohet që ta bëjë një gjë të tillë.