Kurti prezanton aderimin e radhës në Vetëvendosje
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se Mentor Hyseni është anëtarësuar në këtë parti.
Kurti ka shkruar në llogarinë e vet në “Facebook” se Hyseni aktualisht është duke përfunduar doktoraturën në fushën e Financave dhe Ekonomisë Ndërkombëtare në Qendrën Europiane për Paqe dhe Zhvillim, Universiteti i Paqes themeluar nga Kombet e Bashkuara.
“Ardhja e Mentorit në Lëvizje është vlerë e shtuar për të përmirësuar Politikat Publike, Ekonominë dhe Financat Publike në vendin tonë”, ka shkruar Kurti.
Postimi i plotë i Kurtit:
Mentor Hyseni u anëtarësua në Lëvizjen VETËVENDOSJE!. Aktualisht është duke përfunduar doktoraturën në fushën e Financave dhe Ekonomisë Ndërkombëtare në Qendrën Europiane për Paqe dhe Zhvillim, Universiteti i Paqes themeluar nga Kombet e Bashkuara. Studimet Bachelor dhe Master i ka përfunduar po ashtu në fushën e Financave në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës. Mentori ka një përvojë prej 15 viteve në sektor publik, organizata ndërkombëtare, universitet, dhe shoqata profesionale të fushës së financave publike.
Për 12 vite Mentor Hyseni ka punuar në pozita të larta menaxheriale nëpër institucione të ndryshme publike në Kosovë si Ministria e Drejtësisë dhe Korporata Energjetike e Kosovës. Ndërsa në 4 vitet e fundit Mentori punon si Ekspert i Financave Publike në Kuvendin e Kosovës duke ofruar ekspertizën e tij të gjatë për t’i shërbyer një qeverisje më të mirë të parasë publike.
Përveç përvojës menaxheriale, Mentori po ashtu ka punuar si ligjërues asistent në Universitetin e Gjilanit ku ka ligjëruar lëndët e financave, kontabilitetit, etj. Ai është ligjërues edhe në Shoqatën e Kontabilistëve të Çertifikuar dhe Auditorëve të Kosovës (ShKÇAK), një shoqatë lidere e njohur ndërkombëtarisht në fushën e Kontabilitetit, Financave dhe Auditimit në Kosovë.
Ardhja e Mentorit në Lëvizje është vlerë e shtuar për të përmirësuar Politikat Publike, Ekonominë dhe Financat Publike në vendin tonë.