Kurti prezanton buxhetin për vitin 2025 dhe godet Gjykatën Kushtetuese

11 nëntor 2024 | 11:09

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas një kohe të gjatë është kthyer në Kuvendin e Kosovës.

Ai para deputetëve, e ka prezantuar buxhetin për vitin 2025. Në fillim e ka lavdëruar veten, duke thënë se janë qeveria e parë që prezantoi katër buxhete për një mandat. Si rezultat, qeveria e parë që po e dërgon mandatin deri në fund.

“Kryeministri i parë që prezanton buxhetin e katërt të mandatit, për të shënuar qeverinë e parë që e çon mandatin deri në fund. Buxheti është projektuar të jetë 3.6 miliardë euro, apo 9% më shumë se në vitin 2024, apo 60 për qind më shumë se buxheti i vitit 2020. Për të arritur deri këtu, këto 4 vite kaluam nëpër shumë sfida, e për dallim nga të tjerët para nesh, u siguruam që buxheti të orientohet te qytetari, duke e bërë këtë vit pas viti. Buxheti i vitit 2025 është buxheti i katërt në këtë mandat, miratimi në qeveri dhe prezantimin në Kuvend e kemi bërë sipas rregullave”, ka thënë Kurti.

Kurti ka vazhduar me lëvdata, duke thënë se buxheti është më i lartë në të gjitha sektorët, se që ishte në vitin 2024.

“Më i madh buxheti i shtetit, secilin vit, aq më i hershëm prezantimi i tij në Kuvend. Karakteristikat e tjera janë: buxheti për paga e shtesa, 13 për qind më i lartë se në vitin 2024, buxheti për mallra dhe shërbime është 3.2 për qind më i lartë se në vitin 2024, buxheti për subvencione është 8.7% më i lartë, e këtu luajnë rol masat e reja si shtesat për fëmijë, dhe buxheti për investime kapitale është 8.3 për qind më i lartë. Brutoprodukti vendor është rritur aq as për herë të parë sivjet, e kalon shifrën 10 miliardë euro, e vitin e ardhshëm pritet të shkojë përtej 11 miliardë euro”, është shprehur Kurti.

Pas lëvdatave, Kurti ka vazhduar me ankesa, duke përmendur pandeminë Covid-19, sfidën me energjinë dhe luftën Rusi-Ukrainë.

“Pandemia Covid-19 duke si ëndërr e keqe, ishte kohë me shumë vuajtje. Ne si qeveri u ballafaquam me këtë sfidë, qysh ditën e parë. Arritëm për pak muaj të vaksinonim shumicën e popullsisë. Si rezultat u mundësua hapja e ekonomisë tonë. Ardhja e mërgatës në numra rekord i dha ekonomisë tonë infuzionin për të arritur rritjen rekorde prej 10.7 për qind të bruto produktit vendor. Evropën më pas e goditi kriza energjetike, dhe as Kosova nuk shpëtoi pa pasoja. Çmimet nga bursat ndërkombëtare, të mos barten te bizneset. Mijëra familje mbështetëm me izolimin e shtëpive”.

“Subvencionuam mijëra familje të tjera për të blerë pajisje të tjera që shpenzojnë pak. I mbështetëm edhe ata që kursyen energjinë elektrike, mbi 208 mijë familje përfituan nga mbulimi i një pjese, apo komplet faturës. Ata që kursejnë i shpërblejmë. Si rezultat, Kosova vazhdon ta ketë çmimin më të lirë të energjisë në rajon sipas Eurostat”.

“Sikur të mos mjaftonte kriza energjetike, Rusia hapi front duke sulmuar Ukrainën, duke çrregulluar të gjitha bursat e çmimeve bazë. Edhe për këtë sfidë miratuam pakon për përballje me inflacionin, mbështetëm punëtorët e sektorit privat, dhe kjo pako është më e madhja në rajon sipas Bankës Botërore”, ka thënë Kurti.

Më tutje, Kurti ka shfrytëzuar foltoren e Kuvendit për ta goditur Gjykatën Kushtetuese. Për të tha se më shpesh bën bilanc politik se drejtësi.

“Miratuam Ligjin për Pagën Minimale, dhe Ligji për Çmimet Tavan që të parandalohej abuzimi me çmimet. Të dy ligjet i bllokuan duke dërguar në Gjykatë Kushtetuese, eventualisht që Gjykata më shpesh bën bilanc politik se që ndan drejtësi, njërin ligj e rrëzoi, tjetrin e miratoi. Dëm gjithsesi. Për të parin sepse nuk hyri kurrë në fuqi, për të dytin se u vonua. U ballafaquam me pengesat e brendshme”, ka thënë kryeministri i Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ambientet e shoqatës “SHARRI” nuk mjaftonin për të krijuar vend…