![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2022/05/kurti-guvernatori-scaled.jpg)
Kurti pritet nga guvernatori i Massachusettsit, flasin për mundësitë e investimeve në Kosovë
Gjatë vizitës në Massachusetts, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është pritur në takim nga guvernatori i këtij shteti, Charles Baker.
Diskutuan mbi avancimin e parimeve demokratike, për mënyrat e bashkëpunimit në ekonomi, mbrojtje e siguri.
Duke folur për mundësitë për investime në Kosovë, kryeministri Kurti tha se rinia e talentuar, rritja ekonomike, e eksporteve dhe e të hyrave tatimore, borxhi i ulët publik, me më pak se 30 për qind të Bruto Produktit Vendor, trajtimi ndaj investitorëve të huaj dhe Gjykata Komerciale në themelim e sipër, ofrojnë mjedis të favorshëm për investime dhe të të bërit biznes në Kosovë.
Ai ka theksuar klimën tërheqëse për investime, veçanërisht në sektorin e teknologjisë së informacionit. Mbi 650 kompani të këtij sektori, 70 për qind e të cilave eksportojnë shërbime kryesisht në ShBA dhe BE, tregojnë potencialin e madh dhe të dëshmuar të këtij sektori në Kosovë.
Si arsye të qëndrueshme për investime në Kosovë, kryeministri Kurti përmendi edhe pozitën e favorshme gjeografike dhe kulturore, popullatën e re, kreative dhe të talentuar, njohjen e mirë të gjuhës angleze, shtrirjen e gjerë të rrjetit të internetit, politikën stabile fiskale, infrastrukturën moderne të transportit etj.