Kurti priti në takim ambasadorin e Norvegjisë, Jens Erik Grøndahl
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në zyrë ambasadorin e Norvegjisë në Kosovë, Jens Erik Grøndahl.
Në këtë takim temë e diskutimit mes tyre ishte situata e krijuar nga pandemia COVID 19. Me këtë rast, kryeministri në detyrë e njoftoi ambasadorin Grøndahl për masat e reja të qeverisë të cilat për qëllim kanë parandalimin e shpërndarjes e virusit korona.
Në prag të javëve më kritike në luftën kundër përhapjes së shpejtë të sëmundjes, kryeministri në detyrë, Kurti, theksoi përkushtimin e tij dhe të qeverisë për ta kontrolluar në mënyrë sa më të suksesshme lakoren e përhapjes së pandemisë.
Ai, gjithashtu, rikujtoi se ka telefonuar kryetarët e 38 komunave të Kosovës me të cilët ka diskutuar problemet dhe vështirësitë e tyre në përballje me pandeminë COVID 19 si dhe për nevojën dhe format e mbështetjes nga qeveria në detyrë.