Kurti priti në takim ambasadorin Minxhozi, temë pandemia
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi. Ata kanë diskutuar mbi pandeminë COVID-19, për gjendjen e shëndetit publik në të dy vendet dhe për bashkëpunimin mes dy vendeve në këtë drejtim.
Kryeministri në detyrë, Kurti dhe ambasadori Minxhozi e njoftuan njëri-tjetrin mbi efektin e masave të vendosura nga dy qeveritë respektive, mbi numrin e infektimeve dhe shërimeve. Të dy bënë thirrje për kujdesin që duhet kushtuar në vazhdim dhe në vazhdimësi pasi pandemia vijon të jetë aktive.
Temë tjetër e diskutimit përgjatë takimit të tyre ishte bashkëpunimi bilateral ekonomik, rritja e qarkullimit të mallrave dhe prodhimeve, si dhe faktorët që duhet ta nxisin këtë qarkullim. Mbi bashkëpunimin në mes dy vendeve u diskutua edhe në fushën elektro-energjetike, pas pavarësimit elektro-energjetik të Kosovës nga Serbia dhe bashkëngjitjes në Bllokun Rregullues të Sistemeve Energjetike Kosovë – Shqipëri si dhe funksionalizimit të interkonjeksionit 400 kV në mes të Kosovës dhe Shqipërisë pas më shumë së 6 vjetëve.
Kryeministri në detyrë, Kurti dhe ambasadori Minxhozi u zotuan për mbështetje të plotë dhe të vazhdueshme ndaj nevojave dhe kërkesave të të dy vendeve.
(B. D.: ‘Epoka e re’)