Kurti priti në takim delegacionin norvegjez nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur një delegacionin norvegjez nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës (PACE), të udhëhequr nga deputetja Ingjerd Schou.
Sipas njoftimit të zyrës së kryeministrit, në këtë takim është diskutuar për aplikimin e Kosovës dhe rrugën e saj drejt anëtarësimit të plotë në Këshillin e Evropës.
“Kryeministrit ritheksoi dhe rikonfirmoi përkushtimin e vendit tonë për anëtarësim në këtë organizatë ndërkombëtare dhe për respektimin e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit, si vlera kryesore e Këshillit të Evropës e të përbashkëta me Kosovën”, ka njoftuar zyra e kryeministrit.
Në këtë njoftim është thënë se Kurti e ka falënderuar Norvegjinë për përkrahjen e kandidaturës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
“Ai e njoftoi delegacionin nga Norvegjia me aktualitetin politik, zhvillimet e fundit, dhe punën e qeverisë. Diskutuan për përfitimet e qytetarëve të Republikës së Kosovës nga anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës dhe për progresin në fushën e demokracisë dhe sundimit të ligjit në dy vitet e fundit që e kanë bërë aplikimin tonë të natyrshëm”, ka njoftuar zyra e kryeministrit.