Kurti priti në takim disa nga organizatorët e protestës studentore të 1 tetorit 1997
Në përvjetorin e 24-të të protestave studentore të vitit 1997, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në takim disa nga bashkë organizatorët e kësaj proteste.
Në takim ishin edhe familjarë të profesorit të ndjerë Ejup Statovci, Drita Halimi Statovci dhe Anila Statovci.
Para takimit, kryeministri Kurti ka vendosur lule te varri i profesorit Statovci, i cili së bashku me studentët organizatorë ishte në ballë të protestës masive, që për kërkesë kryesore kishte lirimin e pakusht të hapësirave universitare të uzurpuara nga regjimi serb.
“Çdo 1 tetor kujtojmë marshimin në protestat e 1997-ës të mijëra studentëve të veshur në të bardha, që me vullnet për liri e dëshirë për dije kërkonin lirimin e ndërtesave dhe hapësirës universitare nga regjimi i atëhershëm serb dhe përkujtojmë intelektualin që na priu profesor Ejup Statovci”, ka thënë Kurti.
Ai ka deklaruar se më 1 tetor të vitit 1997 u thye një heshtje dhe frikë e gjatë dhe popullit nisi t’i rikthehej dinjiteti.
Sipas njoftimit të qeverisë, në takim ishin prorektori i atëhershëm i Universitetit të Prishtinës, profesori Ahmet Geca, drejtuesit e Lëvizjes studentore ministri Xhelal Sveçla, zëvendësministri Hysen Durmishi, Bujar Dugolli, Fatban Bunjaku, Jeton Rexha, Lulëzon Jagxhiu, Mihane Salihu, Mentor Bogaj, Milot Cakaj dhe Veton Demaj.
Në këtë takim nuk kanë qenë të pranishëm dy nga drejtuesit e kësaj proteste, Muhamet Mavraj dhe Driton Lajçi.