Kurti: Projekti për shkëmbim territoresh ka dështuar, por ideja nuk ka vdekur
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se në takimet me të dërguarin presidencial amerikan për bisedimet Kosovë – Serbi, Richard Geller është diskutuar për arritjen e një marrëveshjeje brenda disa muajsh.
Por, ai ka tërhequr vërejtjen se perspektiva e një marrëveshjeje vështirësohet kur afati kohor vihet përpara përmbajtjes.
Kurti në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, ka thënë se projekti për shkëmbim territoresh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka dështuar, por sipas tij ideja ende nuk ka vdekur dhe se Qeveria e tij do t’i jap fund asaj.
“Projekti për shkëmbimin territorial midis Kosovës dhe Serbisë ka dështuar. Më duhet të pranoj se ideja nuk ka vdekur, projekti ka dështuar-ideja nuk ka vdekur. Me Qeverinë tonë jo vetëm që projekti i dështuar vuloset, mirëpo vdes edhe një ide e tillë meqenëse nuk mund të shtiremi thua se jemi para një çerek shekulli dhe me lapsa mbi hartë luajmë rolin e (Franjo) Tugjmanit e Millosheviqit teksa ndajnë dhe copëtojnë Bosnjën. Mendoj që ajo kohë ka kaluar, ajo është kohë lufte. Tash jemi në kohë të paqes kur kemi nevojë që sa më shpejt të bëjmë hapa të qëndrueshëm drejt anëtarësimit të të gjithë Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian”, ka thënë Kurti.
Intervistën e plotë të Kurtit mund ta lexoni në këtë link: https://www.zeriamerikes.com/a/kosovo-kurti-interview/5119933.html.