Kurti: Protesta e 29 shtatorit është e të gjithë qytetarëve
Në kuadër të përgatitjeve dhe mobilizimit për protestën paqësore të 29 shtatorit, Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur sot një konferencë për medie pas takimit të Albin Kurtit me kryetarët e qendrave të Lëvizjes.
Fillimisht, sekretarja organizative e Vetëvendosjes, Vlora Haxhimehmedi, ka folur për domosdoshmërinë e protestës, në kohën kur sipas saj presidenti Thaçi ecën me hapa të shpejtë drejt copëtimit të Kosovës dhe ndërkohë Vuçiq mbështet dhe promovon projektet e Millosheviqit.
Ndërsa, kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, duke i ftuar të gjithë qytetarët që të bashkohen të shtunën e 29 shtatorit në orën 14:00, ka folur për mbarëvajtjen dhe marshutën e protestës duke filluar me vendtakimin që është tek Biblioteka Kombëtare dhe duke vazhduar tutje drejt sheshit “Skënderbeu”.
“Kjo protestë kërkon ndalimin e pazareve Thaçi-Vuçiq, kundërshton aspiratat e Serbisë në Kosovë dhe insiston në legjitimitet të ri përmes zgjedhjeve të reja parlamentare kur gjendja ekonomike është kaq e rëndë ndërkaq krimi dhe korrupsioni nuk kanë të ndalur”, ka thënë Albin Kurti.
Ai ka theksuar se protesta po bëhet me iniciativën e Vetëvendosjes, mirëpo kjo nuk është protestë e Lëvizjes, kjo është protestë e qytetarëve të Republikës për Republikën.
/Epoka e re/